Në kuadër të muajit të leximit, një tjetër aktivitet letrar u zhvillua në Durrës, nën organizimin e shkollës “14 Nëntori” në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të Durrësit.

“Elitat e Mohuara…Krenari Kombëtare”, studimi i shkrimtares së njohur shqiptare Vilhelme Vranari Haxhiraj, është vepra e fundit që u përurua në aktivitetin e mbajtur në ambientet e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, një vepër kjo për të gjitha nivelet e shkollave si dhe për lexuesin e gjerë.

Drejtuesja e shkollës, Merita Thartori, mësuese letërsie dhe njëkohësisht poete e njohur në Durrës, e cila spikat gjithnjë për idetë kreative që ka në lidhje me veprimtaritë dedikuar librit, tregon për “DurrësLajm” se si i lindi ideja së bashku me rrethin letrar të shkollës, që nxënësve t’iu ofrohej një libër i ri i një formati historik që të kishte të bënte me gjuhën shqipe, me kontributet e figurave të shquara të kombit në fushën e gjuhës e historisë. E kush më mirë se shkrimtarja e njohur shqiptare Vilhelme Vranari, duhej të trajtohej e të promovohej në një dimension më të madh, mes miqve të librit e brezit të të rinjve.

Vilhelme Vranari Haxhiraj i ka dhuruar lexuesit në 22 vite, 46 libra në gjini të ndryshme, letërsi për fëmijë, studime e publicistikë, poezi, proze, tregime, novela, romane etj. Prej tetorit të 2018-s, Vranari është anëtare e Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve me seli në Neë York, me të drejta të plota si akademike, me motivacionin: “Si autore me shumë kontribute, me krijimtari të bollshme në disa gjini letrare, në studime, publicistikë si brenda dhe jashtë atdheut dhe një vlerë e pamohueshme që nderon kombin”.

Takimi për promovimin e librit të Vranarit u zhvillua nën një atmosferë të ngrohtë mes dashamirësve të librit, stafit e nxënësve të shkollës “14 Nëntori”, drejtuesve të Bibliotekës Durrës, si dhe me praninë e kryebashkiakes Valbona Sako, e cila e vlerësoi shkrimtaren duke i dhuruar në medalje, simbolin e qytetit tonë, Torrën Veneciane.

*CV – Cila është Vilhelme Vranari Haxhiraj

Vilhelmja lindi në Kaninë më 08.12.1944. U arsimua me shumë vështirësi. Në vitin 1966 i ndalohet diplomimi vetëm për tri lëndë. Internohet përsëri me familjen Vrana dhe i mohojnë ushtrimin e profesionit. Rifitoi të drejtën e studimeve, në degën Hisori-Gjeografi, ku u diplomua me rezultate maksimale më 1975-n, por pa të drejtën e ushtrimit të mësuesisë. Punoi 25 vjet punëtore e vetëm në vitin 1990 rifilloi punë në arsim dhe u mor me publicistikë. Më 1997-n, e rinxjerrin jashtë radhëve të arsimit dhe vazhdon pa punë si demokrate. Pas viteve 1990 ka punuar për emancipimin e gruas dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Vlen të përmëndet si një veprimtare e shquar. Është formuluese e të drejtave dhe lirive të gruas në demokraci me peticion drejtuar Parlamentit ( 22/4/1992).
Është një nga 4-5 femrat e para që u ngritën kundër diktaturës. Ka qenë themeluese dhe Kryetare e L. D. të Gruas -dega Vlorë, 1991-98, si dhe Anëtare e K.K. të L.D.G. Sh.dhe të P.D.Sh. Kjo i dha mundësinë të gjejë vetveten.

S.L.