Kryedemokrati Lulzim Basha ishte sot në Durrës ku zhvilloi një takim të rëndësishëm me biznesmenë të fushës së turizmit në qytetin bregdetar për të shpjeguar “Programin Shqipëria Fiton për Turizmin”.
Basha u zotua për mbështetje të fuqishme financiare për turizmin me një paketë financiare dhe fiskale për të mbështetur kualifikimin e fuqisë punëtore, kualifikimin e rikualifikimin e fuqisë punëtore.
“Ne kemi shpalosur disa prej këtyre instrumentave dhe sot mund të diskutojmë në detaje edhe të tjera dhe proceset se si do i avancojmë, por një nga instrumentat është padiskustim që taksa 6% që duhet të zbatohet për të gjithë operatorët turistikë, e kam fjalën për TVSH-në, tatimin mbi vlerën e shtuar. Ky instrument së bashku me një mbështetje të fuqishme financiare, me një paketë financiare dhe fiskale për të mbështetur kualifikimin e fuqisë punëtore, kualifikimin e rikualifikimin e fuqisë punëtore. Për të tërhequr në bashkëpunim me ju dhe drejt bashkëpunimit me ju agjencitë më të mëdha, operatorët më të mëdhenj turistikë për të diversifikuar tregun në veçanti në ato zona të cilat i kemi të paprekura ose pak të prekura dhe që kanë një potencial të madh. Këto nuk do të jenë më thjesht objektiva individuale apo të shoqatave të ndryshme të sektorit, por do jenë objektiva të përbashkëta të qeverisë së ardhshme dhe të gjithë sektorit nga operatori individual tek shoqatat e sektorit me të cilat dialogu do të jetë i përhershëm dhe vendimmarrja do të jetë transparente. Deklarimi i këtij sektori si një prioritet kombëtar nuk vjen thjesht dhe vetëm për një parullë apo slogan, se me slogane, me parulla e me premtime bosh edhe ju si çdo kujt tjetër i ka ardhur në majë të hundës këto 8 vite. Me to mbetesh në llucë, nuk ecën përpara. Deklarimi si prioritet kombëtar do të thotë të bashkëshoqërohet me masa konkrete, fiskale, financiare, ligjore dhe mbështetje konkrete institucionale”, deklaroi Basha.
Sipas Bashës, shteti ka mundësi të jashtëzakonshme për t’i mbështetur në çdo hap duke përfshirë edhe në kontaktet, edhe në thithjen e interesit dhe shprehjen e interesit dhe pranisë së operatorëve ndërkombëtarë, edhe në diversikimin e tregut, por mbi të gjitha duke i mbështetur aty ku iu dhemb më shumë.
“Për 8 vite me radhë, po të bëjmë një analizë të investimeve publike do të shohim që shumë pak investime publike kanë shkuar në ndihmë të sektorit turistik apo në ndihmë të ekonomisë në tërësi dhe kjo është e papranueshme. Këto janë paratë e taksave të tuaja, taksave të shqiptarëve. Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm, vendi ka operatorë turistikë që i kanë ndërtuar me duart e tyre pa mbështetje, shpesh herë me shtetin kundër një infrastrukturë, një taban mbi të cilin mund të punohet. Pas 25 prillit do të ketë një qeveri që turizmin e ka prioritet kombëtar, jo me fjalë por me vepra dhe me akte konkrete, me akte fiskale, me akte buxhetore, me financime konkrete, me trajnimin, me në qoftë se mund ta quaj kështu me diplomacinë turistike, pra me vënien në dispozicion të resurseve të shtetit për të bërë të mundur që Shqipërisë t’i jepet mundësia të kapë ritmin e vendeve të tjera të rajonit të cilat të gjithë e dinë që nuk ka nevojë të krahasohemi me të tjerët, kanë ecur shumë më përpara se ne për këtë arsye. Për arsyen e vetme sepse Mali i Zi, Maqedonia e Veriut madje edhe Kosova, kanë ditur të japin mbështetjen e duhur sektorit të turizmit dhe kjo është përkthyer në vende pune, është kthyer në mirëqenie, është përkthyer në rritje ekonomike. Ka ardhur koha që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë dhe unë para jush nuk vij me premtime por vij me angazhime konkrete, pjesë e një plani konkret të zbatueshëm prej ditës së parë, javë pas jave, muaj pas muaji me qëllim që edhe ju qeverinë e ardhshme shqiptare ta keni në krah siç e kanë në krah qeverinë e tyre vendet e rajonit për zhvillimin e turizmit”, deklaroi kreu i PD.





