Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili është paralajmëruar të mbahet më 29 prill, në Berlin, ku nikoqir të takimit pritet të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, është takim tradicional dhe joformal, por megjithatë, kësaj radhe nuk do të jetë i zakonshëm, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në takimin e 29 prillit në Berlin, po synohet të gjenden zgjidhje për problemet në Ballkan e të cilat, së fundmi kanë të bëjnë me problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe problemin e Bosnjë e Hercegovinës.

Por, sipas tij, temë kryesore në takimet shumpalëshe, e sidomos në takimet dypalëshe dhe ndërmjetësuesve, do të jetë çështja e zgjidhjes së problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve.

“Pres që kjo mbledhje në Berlin ta ketë simbolikën në arkitekturën e ardhshme politike të Ballkanit, t’i jep goditje ndarjeve dhe coptimeve etnike dhe krijimit të shteteve të mëdha, si dhe të krijojë balancin, por edhe të krijojë shoqërinë e vlerave evropiane dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve. Në këtë rast, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tejet i rëndësishëm dhe ruajtja e Bosnjës në formën e tashme ose të bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe dy etniteteve”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, tashmë është moment historik për arkitekturën e ardhshme të Ballkanit, ndërkohë që simbolika është e Berlinit, për shkak se në Kongresin e Berlinit, në vitin 1878, ishin caktuar konturat e Ballkanit dhe ishin krijuar shtetet sllave në funksion të synimit për largimin e Perandorisë Osmane.

Por, sipas tij, populli shqiptar, si tërësi, asokohe nuk arriti të bëhet objekt i shtetësisë. Por, siç thekson Tahiri, tashmë Kosova ka dalur në skenën historike dhe më nuk zhbëhet, si dhe tashmë është moment historik i kacelares Angela Merkel, e cila, sipas tij, po e zhvillon opsionin e policentrizmit apo popujve të barabartë.

Ndërkaq, Dusha Janjiç, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, dukle folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se është shumë e rëndësishme takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në formatin, siç është takimi i Berlinit, për shkak se siç thotë ai, tashmë ekziston një krizë e tërësishme në dialogun e Brukselit.

“Vet ky takim dhe zhvillimi në nivelin e paralajmëruar, flet që Bashkimi Evropian me dijeninë dhe në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vendosur që nga liderët institucional të kërkojnë që të sqarohen se a do të mbesin në rrugën drejt hyrjes në Bashkimin Evropian. Së dyti, kur bëhet fjalë temën e statusit të Kosovës, mendoj që rikujtohen sërish qëndrimet e harmonizuara të Grupit të kontaktit, prej të cilave, gjatë këtyre muajve përmes propagandës dhe mënyrave tjera, është përjashtuar integriteti territorial".

"Pra, çështja e kufijve është temë, por jo shkëmbimi i pjesëve të territorit dhe shkëmbimi i popullsisë. Mendoj që do të jetë shumë e rëndësishme edhe porosia, të cilën besoj që do ta kuptojë udhëheqja e Kosovës, se Serbia nuk është e detyruar për njohjen e plotë të Kosovës nën firmën e normalizimit”, ka thënë Janjiç.

Ai ka shtuar se të dy nikoqirët e takimit të Berlinit, Merkel dhe Macron, pritet të ndikojnë në Bashkimin Evropian, që ky i fundit të sqarojë se çfarë nënkupton me normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe cilat do të jenë kriteret e nëshkrimit të një marrëveshjeje juridikisht obliguese.

Në anën tjetër, të dy presidentët, të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, janë shprehur se nuk presin shumë nga ky takim.

Presidenti i Kosovës,Thaçi ka thënë se “nuk pret diçka të re nga ky takim në raportet ndërmjet Ksoovës dhe Serbisë”.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiç ka theksuar se nuk pret “presione” dhe se “nuk do të ketë diçka të tillë në atë formë”.

Politologu Tahiri, thekson që të dy presidentët, në fakt, e dinë fare mirë se pse janë të ftuar në takimin e Berlinit.

“Të dy presidentët, i Serbisë dhe i Kosovës, gjithësesi janë të vetëdijshëm se nuk shkojnë për vizitë turistike dhe nuk shkojnë për vizitë promovuese dhe për fotografi. Ata shkojnë për t’i marrë vlerat evropiane, të cilat nuk janë detyruese, por janë alternativë, të cilën do t’ua ofrojnë Franca dhe Gjermania, Kosovës dhe Serbisë dhe ajo është alternativa e pajtimit dhe e pranimit të realiteteve dhe bashkëpunimit. Unë pres shumë prej kësaj konference, sepse nuk do të jep asnjë shans që të vazhdojë status quo-ja dhe nuk do t’u jep asnjë shans që politikat nacionaliste të mund të vazhdojnë në Ballkan”, u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, Janjiç shpreh mendimin se megjithatë në takimin e Berlinit do të kërkohet nga liderët e Ksoovës dhe të Serbisë që të tërhiqen nga “rruga e verbër” në të cilën kanë hyrë.

“Ata nuk duhet të sillen, sikur dikur që ishte sjellë Milosheviq, kinse ‘ja po shkojmë atje të luajmë’ dhe pastaj “të themi që Rambuje më nuk vlen’. Ky është një takim shumë serioz, prapa të cilit janë dy liderë udhëheqës, e sidomos Merkel, e cila ka investuar jo vetëm kredibilitetin e politikës së jashtme, por kjo për Gjermaninë është çështje e politikës së brendshme. Ky takim është mjaft serioz, por nuk është i tillë, në të cilin do të nënshkruhet diçka”, ka thënë Janjiç.

Sidoqoftë, në takimin e Berlinit më 29 prill janë ftuar presidentët dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Serbisë, Vuçiç, më herët ka deklaruar se një marrëveshje me Kosovës, bazuar në zhvillimet e tanishme, është larg për tu arritur. Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Thaçi, ka thënë se “marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mundur të arrihet gjatë vitit 2019 pavarësisht pengesave në muajt e fundit”. /REL