SHBA, 22 prill 2014 – Nuk takoheshin prej 10 vitesh dhe besonin se nuk do të kishin më mundësi për t’u parë me njëra-tjetrën. Por mrekullia ndodhi. Tre motrat Rubye, Ruth e Rose, respektivisht 110, 104 dhe 101 vjeçe kanë pasur një takim të përmalluar mes tyre. Mosha e madhe dhe largësia që duhet të përshkonin për t’u takuar i kishte mbajtur të ndara prej një dekade motrat, por gjithsesi ato nuk kishin reshtur asnjëherë së foluri me njëra tjetrën në telefon.
Dy prej tyre jetojnë në azile në Rdohe Island dhe Florida, ndërsa motra tjetër në Oklahoma. Takimi i tyre është mundësuar falë një shoqate humanitare “Wish of a Lifetime”, që plotëson dëshirat e njerëzve të moshuar.
Të tre motrat janë rritur në fermën e babait të tyre Elmer Gawl, në Muskogee, dhe kujtojnë ende periudhën kur nuk kishte energji elektrike dhe udhëtimet bëheshin me kuaj. Ato kanë mundur t’i mbijetojnë Luftës së parë Botërore, Depresionit të madh dhe Luftës së dytë Botërore, për të qenë tashmë të rrethuara nga fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e shumtë.
Takimi i tyre i përmalluar pas 10 vitesh u regjistrua nga revista People. Kur dikush i pyeti motrat se si ndiheshin tashmë që i kishin kaluar 100 vitet përgjigja e parë ishte: “Ndihemi të vjetra”.
Por më pas shtuan: “Ndihemi gjithashtu të lumtura që kemi pasur një jetë kaq të gjallë, që kemi parë shumë gjëra dhe që kemi qenë të rrethuara nga shumë dashuri”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





