Ambasada Amerikane në Tiranë, ka reaguar në lidhje me takimin e zhvilluar dje mes kryeministrit Edi Rama dhe Komandantit të Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Europën (SACEUR), Gjenerali Christopher Cavoli.

Në një postim në rrjetet sociale thuhet se gjatë takimit u evidentuan lidhjet e forta në fushën e mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ndërsa u theksua roli kyç i Shqipërisë në NATO.

“Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate për Europën (SACEUR), Gjenerali Christopher Cavoli, u takua dje me Kryeministrin Edi Rama. Takimi theksoi lidhjet e forta në fushën e mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përfshirë rolin kyç të Shqipërisë në NATO dhe përpjekjet e përbashkëta ushtarake, të cilat janë jetike për çuarjen përpara të paqes në rajon dhe më gjerë”, thuhet në reagim.