Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiç gazetarëve.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ikën nga detyrimet e saj“, shtoi ai.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel, për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.

Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh ishte zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre./REL