Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në një takim me mësues dhe prindër në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, ku ka diskutuar mbi rëndësinë e mësuesve dhe nevojën për mbështetje të mëtejshme për ta. Rama ka theksuar se mësuesit janë po aq të rëndësishëm për kombet, sa janë ushtritë, duke i cilësuar ata si një trupë që meritojnë vlerësim dhe mbështetje të vazhdueshme.

Ai theksoi se mësuesit janë përballë një sfide të madhe dhe se është e nevojshme të gjehen mënyra për të mbështetur dhe vlerësuar punën e tyre, duke shtuar se kjo nuk është vetëm çështje pagash. Rama theksoi se investimi në arsim dhe në trupën e mësuesve duhet të jetë një prioritet, duke e krahasuar me investimet që bëhen për trupat e armatosura.

“Këto investime duhet të rriten çdo vit dhe të shkojmë përtej asaj që është aktualisht. Nëse mbrojmë atdheun nga rreziqet e jashtme dhe nuk rrisim investimet për arsimin, rrezikojmë të humbasim betejën,” u shpreh Rama, duke theksuar rëndësinë e arsimit për të ardhmen e vendit.