Nga BUJAR QESJA

Në këto temperatura të nxehta të qershorit, krijohen shirita kohore që një fresk i ëmbël të josh. Dhe ky fresk jo i natyrës, por miqësor, më ndodhi në pasditen e të hënës së 20 qershorit 2022. Vijnë të më vizitojne çifti i njohur Skënder dhe Sllavica Rexha.

-Kemi ardhur të të japim një kafe. Të ndërrojmë një muhabet, por edhe për të falenderuar për shkrimin që bëre për njeriun tonë Dhorka Koço. Na ka prekur shumë. Dhorka është shumë e ngarkuar shpirtërisht. Kishe bërë një pasqyrë të jetës së Dhorkës, por që ishin prekur edhe familjet tona. Janë mesazhe shumë të ndjeshme që transmetohen në atë shkrim, që përcjellin tek ne ngarkesë emocionale, ngarkesë psikologjike, duke tundur fort kartën e pastër të miqësisë dhe mirënjohjes.

Vajzat simpatike dhe familjare të zonja të këtij çifti, Ada dhe Romina, m’i kishin transmetuar falenderimet, për një angazhim itensiv krijues në nxjerrjen në pah të figurës së njërës prej volejbollisteve më të njohura shqiptare, të Dhorka Koços. Ato e kanë teze Theodhorën dhe e duan shumë. Për të kompesuar edhe largësinë e bashkëshortes së Ilir Qoshjes, erdhi në konakun tim në këtë pasdite çifti Rexha.

Familja e Pilo Koços, erdhi në Durrës në vitin 1974. Përbëhej nga nëna Aristea, motrat Sllavica, Dhorka dhe Vera, si dhe vëllai i vetëm Simo. Pilo një ushtarak i njohur i ndërlidhjes, ishte një burrë i rrallë. Aristea një zemër e ndjeshme nëne, ushtronte profesionin e bukur të mësueses. Fëmijë të mbarë, të cilët u rritën me një edukatë të lartë qytetare. Familja Koço iu përshtat Durrësit dhe u lidhën ngushtësisht me këtë qytet të artë dhe të pazëvëndësueshëm. Sllavica një kontabiliste profesioniste, lidhi jetën me njërin nga djemtë më të zëshëm të fisit të njohur të Rexhëve.

Një njeri duarartë, një profesionist shumëplanësh duke ushtruar mjaft zanate Skënder Rexha, bëhet bashkshort i vajzës së bukur nga Vunoi, por e lyer me aromë Korçe Sllavica Koço. Dhe dolën një çift i përkryer. E bujshme edhe martesa e volejbollistes së famshme Dhorka Koço, me një djalë tjetër flori, por nga një familje me shumë emër Qoshet e Durrësit. Ky ishte Iliri ynë, që prej 16 vitesh e ka ndalur frymëmarrjen, duke mos ndalur kurrë kujtesën për të.
Mall, nostalgji, kujtime pa fund konsumuam në këtë pasdite me çiftin Rexha. Kuptuam edhe më saktë, si edhe më qartë sa nevojë kemi të ndodhemi pranë njëri tjetrit, ja kështu si tani për një kafe, për një gotë ujë të ftohtë, për të freskuar dhe dhënë një dorë miqësisë tonë të vjetër. Prekëm shumë tema, krijuam debate të frytshme që vinin e lidheshin në një emërues të përbashkët: respekti, mirënjohja dhe mos harresa për prindërit tanë dhe evidentimi i shumë rrënjëve dhe degëzimeve, që kishte krijuar miqësia jonë tradicionale. Një miqësi e lyer me qytetari, me tolerancë e respekt, me mirnjohje dhe dashuri, me kulturë dhe emancipim.

Shtrirja e krushqisë durrsake, e familjeve të fisme dhe me reputacion, kalon edhe tek fëmijët. Vajza e Ilir Qoshjes, pra edhe e Dhorkës Lorejna është martuar me djalin e Muhamet dhe Dani Kujofsës (Ylli) Tedin. Dhe vazhdon “të bie dardha mbi dardhë” tek familjet e origjinës, për t’u shtrirë më pas tek degëzimet e tyre. Këto e të tjera diskutime bëmë me miqtë tanë në këtë pasdite, e cila m’u duk shumë e veçantë. Skënder Rexha po i kapërcen të 85 vitet dhe për marshalla siç thuhet në këto raste, qendron pranë gruas së hekurt dhe të paplakur Sllavica Koços. Edhe Simo me Verën kanë familjet e tyre dhe miqësia vazhdon dhe shtrihet më tej.

U “përplasëm” pak, se cili duhet ti paguaj kafetë. Dhe si një detyrim moral, çifti Rexha e kërkonte këtë në shkëmbim të nderit, që iu kisha bërë për shkrimin dedikuar Dhorka Koços.
-Po ku ka ndere ndërmjet nesh, i thashë Skënderit dhe Sllavicës. Detyrime po. Kafetë janë të mijat, pasi ndodheni në “çadrën” time. Nderin m’a bëtë ju mua, që më erdhët dhe më patë. Bëmë edhe muhabet të ëmbël, që na kishte marrë malli. Muhabet siç dinë të bëjnë aq mirë dhe aq këndshëm durrsakët, aq më shumë djali i Xhafer Qesjes me mikun e hershëm Skënder Rexha dhe mikeshën e re Sllavica Koço.

Kur rrimë kështu, kuptojmë sa kohë na ka kaluar dhe po na kalon, pa e trazuar llafin njëri me tjetrin. Në fund të fundit, qari që jemi në këtë vënd kjo është, që jemi pranë njëri tjetrit dhe e vështrojmë më shpesh sho-shoqin.
U ndamë me shumë kënaqësi. Dhe po e vështroja çiftin Rexha, teksa ngadalë çapitnin hapat e zvogëluara drejt banesës së tyre. Pasi po largoheshin, Sllavica kthehet disi dhe e bindur se do t’i dëgjoja fjalët e saj, ngriti paksa zërin:
-Mos e quaj këtë të sotmen Bujar! Do të vijmë shpejt edhe njëherë tjetër!
-Ju pres! Ia ktheva me një zë, që tashmë ishte marrë në dorëzim nga emocionet.

Durrës: 20 qershor 2022
Në pamje, nga e djathta: Skënder Rexha, Sllavica Rexha (Koço) dhe Bujar Qesja.