Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në konferencën e sotme të përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg ka folur ndër të tjera për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.
Ai ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e NATO-s në rajon dhe misionin KFOR duke e cilësuar një histori suksesi. Begaj tha se KFOR, është garantues i paqes dhe i sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Më tej Begaj tha se duhet konsideruar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike.
“Kemi ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Republikës së Kosovës në fund të vitit të kaluar.
Shqipëria përshëndet dhe mbështet dialogun Serbi-Kosovë. Që nga viti 2008, Republika e Kosovës është një vend sovran dhe i pavarur me vizion të qartë për t’u integruar në familjen euro-atlantike.
Plani europian për normalizimin e marrëdhënieve është një hap pozitiv që do duhet të qendërzohet në njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.
Vlerësoj maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e NATO-s në rajon dhe misionin KFOR, si një histori suksesi.
KFOR, është garantues i paqes dhe i sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Ne jemi duke kaluar kohë të sfidave të mëdha, të cilat kërkojnë vendime të guximshme dhe të drejta.
Në këtë kontekst është në bindjen time se është më se e justifikueshme për ta konsideruar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike”, ka thënë Begaj.