Presidenti Ilir Meta ndodhet në Itali në kuadër të vizitës zyrtare. Meta ka zhvilluar një takim me homologun Italian, Sergio Mattarella.
Dy presidentët i kushtuan rëndësi çështjes së sigurisë dhe rendit, duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimit mes institucioneve ligj-zbatuese për të luftuar krimin, terrorizmin, trafiqet e paligjshme.
Si Meta ashtu edhe Mattarella ndanë mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi, do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në afrimin e shpejtë të vendit me Bashkimin Evropian.
Roli konstruktiv i Shqipërisë, bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë e të mirëkuptimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimi i Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të veçantë në bisedimet mes dy Presidentëve.
Presidenti Mattarella e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes së Italisë për Shqipërinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë të integrimit në Bashkimin Evropian. Presidenti Mattarella nënvizoi se: “Shqipëria është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe përcaktuese me rolin konstruktiv që ajo luan”.





