Teksa  aktualisht  po zhvillohen bisedimet mes  zyrtarëve  të SHBA-së  dhe Rusisë  në pallatin e Riadit në Arabinë Saudite për fundin e luftës në Ukrainë, Kina ka reaguar duke thënë se pret që të gjitha palët të ulen së bashku për negociatat e paqes, pasi Kievi dhe aleatët europianë janë përjashtuar.

“Kina mirëpret të gjitha përpjekjet kushtuar paqes, përfshirë konsensusin mbi negociatat e arritura midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Në të njëjtën kohë, ne presim që të gjitha palët e përfshira dhe palët e interesuara të marrin pjesë në procesin e negociatave në kohën e duhur.”  tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Guo Jiakun në një konferencë të rregullt për shtyp.

Prej kohësh Kina ka kërkuar pozicionimin e saj si një ndërmjetës i mundshëm i paqes në konflikt, duke promovuar kështu propozimin e saj për të zgjidhjen e luftës edhe pse është ende i paqartë.

Por kërkesa e saj është lënë në hije nga Perëndimi për shkak të marrëdhënieve që Pekini ka me Moskën.