Ministri i punëve të jashtme Ditmir Bushati do të jetë mikpritës i dy kolegëve të tij, Paolo Gentiloni nga Italia dhe Ivica Daçiç nga Serbia, në kuadër të takimit trepalësh Shqipëri-Itali-Serbi. Kjo nismë u iniciua më shumë se një vit më parë dhe vijon takimin e parë trepalësh në nivel ministrash të punëve të jashtme, që u zhvillua në Romë, më 23 janar 2015.
Ky takim synon shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin e një sërë çështjesh të rëndësishme si për vendet tona ashtu edhe për rajonin dhe me gjerë.
Gjatë takimit, ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë do të diskutojnë projekte të përbashkëta konkrete, me interes të ndërsjellë, në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor etj., duke u fokusuar në identifikimin e metodologjive të reja për realizimin konkret të tyre, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të nismave rajonale.