BRUKSEL – Pas më shumë se 5 orësh takim me ndërmjetësimin e Catherine Ashton, në Bruksel kanë arritur marrëveshje për doganat kryeministri Thaçi i Kosovës dhe ai Daçiç i Serbisë.
Në një komunikatë të shkurtër Ashton ka thënë se palët janë pajtuar për vazhdim intensiv të dialogut në shkurt për të bërë përparime për një sërë fushash. “Duke përcjellur marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufijeve në takimin tonë të fundit më 4 dhjetor 2012 dhe zbatimin e tij në 4 pika kalimtare, të dy kryeministrat kanë ardhur në një mirëkuptim të përkohshëm për mbledhjen e taksave, të doganave dhe të TVSH-së”, thuhet në komunikatën e lëshuar pak pas takimit, raporton KTV-ja.
Në një deklaratë për mediat kosovare pas takimit, kryeminsitri Thaci ka bërë publike marrëveshjen për doganat duke thënë se ato do të paguhen sipas ligjeve të Kosovës. Thaci gjithashtu ka bërë me dije se kryeministri serb, Daciq e ka marrë si obligim largimin e strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës. Kryeministri ka thënë se serbëve në veri do t’u jepet mundësia që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë lokalë në veri.