BRUKSEL, 20 shkurt 2013– Përfundon pa asnjë marrëveshje dita e dytë e takimit mes kryeministrit serb Ivica Dacic dhe atij kosovar Hashim Thaçi. Në një deklaratë të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, thuhet se të dy kryeministrat kanë zhvilluar diskutime të thellë, ndërkohë që njoftohet se tryeza e ardhshme do të mbahet më 4 mars.
"Ata janë kthyer në kryeqytetet e tyre për konsultime dhe do të kthehen më 4 mars në Bruksel për takimin e radhës", citohet të ketë thënë baronesha Ashton, duke shtuar se "kryeministrat janë të kënaqur me përparimin thelbësor që kanë arritur, ashtu sikurse edhe unë”, thuhet në dekalratën e BE.
Sipas burimeve nga Brukseli, takimi i dy kryeministrave ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive, por, megjithatë, deklarata zyrtare për rrjedhën e tij nuk janë bërë publike, transmeton Rel.
“Ne tani jemi duke diskutuar për çështje të vështira, siç është veriu i Kosovës, andaj është e qartë se duhen shumë konsultime dhe sqarime të hollësive, sepse kjo nuk është temë e lehtë”, kanë thënë burimet e BE-së.
Kryeministri i Kosovës ka takuar edhe dy krerët e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian: kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, dhe kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Në të dyja këto takime, liderët e BE-së kanë shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të jenë konstruktive në dialog.