Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog dhe të respektojë gjithçka që ka nënshkruar dhe që është pajtuar.

Në një njoftim për media të lëshuar nga Presidenca e Serbisë po ashtu thuhet se Vuçiq ka ripërsëritur se Serbia dëshiron shtensionim, paqe dhe stabilitet.

Po ashtu në njoftim u tha se Vuçiç insistoi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por në takim janë diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq, tha pas takimit se ftesa e Lajçakut për të vazhduar dialogun për normalizimin e raporteve më 16 nëntor në Bruksel është pranuar.

“Ne do të diskutojmë për tekstin e draft-statutit të Asociacionit. Pala jonë do të shkojë me një ekip ekspertësh”, tha Petkoviq.

Më 16 nëntor, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen në Bruksel.

Vizita e Lajçakut në Serbi vjen pasi ai më 7 nëntor, Lajçak vizitoi Kosovën, ku diskutoi me përfaqësuesit e Qeverisë dhe të opozitës për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Propozimi i ri “për një model modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë nga anëtarët e “Pesëshes së Madhe” gjatë vizitës së tyre në këto dy shtete më 21 tetor.

Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizim, që ndërmjetësohet nga BE-ja, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se mund të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, duke argumentuar se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit.

Megjithatë, gjatë një takimi me liderët evropianë në Bruksel më 26 tetor, Kurti tha se ka pranuar draft-statutin e ri të propozuar.

Dokumenti i këtij draft-statuti nuk është bërë publik. Megjithatë, Kurti ka thënë se ai është shkruar më shumë në kujdes ndaj germës sesa frymës së Kushtetutës së Kosovës.

Më herët gjatë vitit, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raportet. Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut./REL