Në takimin e radhës të Klubit Rotarian Durrës, i ftuar special ishte përkthyesi dhe publiçisti i njohur Edmond Tupja. Në një rrëfim të ndjerë për shumë etapa të jetës së tij, duke nisur nga vitet e fëmijërisë, ku shokët e klasës i kishin ngjitur pseudonimin Don Kishoti, dashuria e parë, vitet e kaluara si student në Sorbonë të Francës, puna si përkthyes etj, profesor Tupja shpalosi shumë nga të pathënat e tij.

Rastësia konsiderohet si mbret i botës dhe duket se dhe profesor Tupes i përcaktoi të ardhmen e tij në profesionin si mësues dhe përkthyes i gjuhës frënge. 

“Mora frymë thellë dhe thashë me gjithë shpirt: Ah sikur të bëhem mësues frëngjishtjeje si profesori dhe përkthyes si profesor Mahmut Babasi. Rrethanat bënë që unë u bëra mësues frëngjishtjeje, pedagog dhe përkthyes si profesori. Rastësia luan shumë rol për mua. Aq sa ka ditë kur them që çfarë bën natyra është rastësi dhe çfarë bën perëndia (për ata që besojnë) ka dorë rastësia”.

Vitet e kaluara si student në Francë kanë mbetur ende shumë të qarta në kujtesën e profesorit, por ishin këto kujtime që i ndihmonin atij dhe përkthyesve të tjerë të njohur, të angazhuar në përkthimin e veprave të Enver Hoxhës, të kapnin gabimet e diktatorit.

“Doli një libër “Shënime për Kinën” dhe thoshte Mao Ce Dunit vetja i duket si udhëheqësi Sine Qua Non i revolucionit botëror. Ne i thamë: Si në italisht dhe frëngjisht Sine Qua Non do të thotë pa diskutim. Kjo përdoret në shprehjen e ngurtësuar “conditio sine qu non” dhe është një kusht që detyrimisht duhet përmbushur. Përgjigja që na erdhi herën e parë ishte: Pse ju kujtoni që shoku Enver nuk e din frëngjishten?! Unë kafshova buzën sepse s’ma mbante, se do kisha thënë: Po pse nuk i përkthen vetë ai librat? Pse s’i shkruan vetë në frëngjisht? Por s’ma mbante!”

Me rreth 70 libra të përkthyer në frëngjisht, të autorëve të njohur si Ismail Kadare apo Fatos Kongoli etj, por edhe libra të botuar prej tij apo shkrimeve publiçistike në mediat shqiptare, profesor Tupja ka dëshmuar përherë dashurinë e tij për gjuhën shqipe dhe ruajtjen e paprekur të saj nga ndikimet gjuhësore të huaja. Aktualisht ai ndihet i keqardhur për gjendjen në të cilën ndodhet gjuha shqipe, qoftë në shtypin e shkruar apo studiot televizive. Një etapë e rëndësishme e tij në lëmin e letërsisë ishte botimi i “Fjalorit erotik”. Kjo e bëri thuajse të njohur për këdo, siç rrëfen ai i buzëqeshur.

Në bashkëbisedimin e tij me anëtarët e Klubit Rotarian Durrës, Tupja rrëfeu me trishtim se prej gati dy vitesh nuk shkruan më rregullisht.

Megjithëse të shkruarit ka qenë gjithnjë për të si frymëmarrje, gjendja shëndetësore e të birit që vuan nga autizmi dhe përkushtimi i gjatë i bashkëshortes së tij ndaj djalit ka ndikuar në tërheqjen nga krijimtaria artistike.

M.B.