Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një prononcim për gazetarët pas takimit me ish-kryeministrin, Sali Berisha, u shpreh se me Berishën diskutoi për të bashkërenduar agjendën opozitare.

Ai shtoi se është detyra e opozitës të bashkojë fuqinë e saj në rivendosjen e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe llogaridhënies, ndërsa shtoi se kjo agjendë përfshin angazhim opozitar, në parlament, në pushtetin vendor edhe kudo.

Sipas Metës, Partia e Lirisë do të japë kontributin e saj të pamohueshëm dhe në zgjedhjet e pjesshme në Kukës që pritet të mbahen pas pak ditësh.

“Diskutuam për të bashkërenduar agjendën sa më aktive opozitare, përfshirëse në këto kushte kaq degraduese ku ndodhet situate me shtetin e së drejtës. Në këto rrethana kur skandalet e qeverisë dhe korrupsionit të saj mbivendosen dhe kur problemet ekonomike vetëm rëndohen dhe kjo shpërfaqet në fenomenin e largimit, është detyra e opozitës të bashkojë fuqinë e saj në rivendosjen e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe llogaridhënies dhe kjo agjendë përfshin angazhim opozitar, në parlament, në pushtetin vendor edhe kudo, jemi në kontakt me grupet e interesit që ndihen të kërcënuara. Ne jemi kudo ku kërkohet angazhimi ynë.

Në Kukës dega jonë është tepër aktive. Deputetët tanë janë në vijën e parë të përballjes me këtë regjim. Do të ketë protesta dhe datë, por kjo nuk është e rëndësishme. Opozita duhet të ngrihet në lartësinë e momentit për t’iu dhënë përgjigjeve sfidave që kanë sjellë një situatë të rënduar nga keqqeverisja”, tha Meta.