Taksa e fenerit apo e sinjalistikës, për të cilën Shërbimi Hidrografik, merr vetëm një euro nga Autoriteti Portual Durrës është rikthyer si temë debati midis kreut të kapitanerisë së Durrësit, Taulant Hallkja dhe kreut ekzekutiv të APD-së, Artjan Qirici në mbledhjen e fundit të këshillit konsultativ të APD.
“Shërbimi hidrografik i portit të Durrësit ka në funksion 24 fenerë, shërbimet e të cilëve i kryejnë punonjësit e këtij shërbimi, ndërsa taksat i merr APD. Puna bëhet nga punonjësit e Shërbimit Hidrografik dhe paratë merren nga APD. Vetëm një euro merr ky shërbim. Kësaj problematike duhet t’i gjendet zgjidhje. Prefekti si komandat i vjetër e ushtarak i lartë detar e di shumë mirë si po funksionon kjo punë”,- ishte apeli që dha kapiteni i portit të Durrësit, Taulant Hallkja.

“Taksa e Fenerit është më e vjetra në botë. Nëse Shërbimi Hidrografik nuk do të riparojë fenerët, pra sinjalistikën detare, puna bllokohet në portin e Durrësit”,- vijoi më tej Hallkja.
Edhe prefekti i Durrësit, Roland Nasto e miratoi këtë ankesë të ngritur nga kreu i kapitanerisë së portit, ndërsa shefi ekzekutiv i APD-së nuk doli me një konkluzion konkret.
Çfarë është Shërbimi Hidrografik
Shërbimi ynë Hidrografik është një komponent i rëndësishëm i Forcës sonë Detare, sepse luan rol parësor në sigurimin e kushteve hidrolundrimore dhe sinjalistikës detare për lundrim të parrezikshëm të mjeteve detare në hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë. Për shtetet e zhvilluara apo vendet në zhvillim, një hidrografi dhe sinjalistikë efikase janë domosdoshmëri në zhvillimin e transportit detar dhe turizmit të vendit duke ndikuar direkt në integrimin e shpejtë të tij në strukturat ndërkombëtare të detit dhe në BE. Që nga krijimi i këtij shërbimi më 25 shtator 1957 e deri tani, personeli i Shërbimi tonë Hidrografik ka kryer studime të karakterit hidrografik dhe hidrologjik të bregdetit, relievit dhe fundit të detit, ka vendosur fenerë, shenja detare, ka përpunuar e botuar harta detare, udhëzues të lundrimit, etj. duke mbajtur në gatishmëri të plotë sistemin e farofenerëve përgjatë bregdetit shqiptar.

Shërbimi ynë hidrografik vitet e fundit ka bashkëpunuar me Zyrën Hidrografike të SHBA, të Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimin Hidrografik italian, grek,turk, etj. në fushën e ndërtimit të sinjalistikës detare, matjeve hidrografike në porte dhe zona të veçanta, ka përgatitur harta hidrografike përfshirë dhe ato elektronike. Natyrisht projekti më i rëndësishëm është ai me Shërbimin Hidrografik norvegjez, ALNO HIP, i cili do fokusohet në kryerjen e matjeve batimetrike, përpunimin e të dhënave dhe menaxhimin e prodhimin e hartave detare elektronike.”
K.H.





