Megajahtet që kanë vizituar 6 muajt e parë të këtij viti portin e Durrësit kanë sjellë jo pak, por 4 milionë euro të ardhura në arkën e shtetit nga taksa e karburantit.
Në periudhën janar – qershor, në portin më të madh në vend janë ankoruar 7 kroçera dhe 120 jahte, ndërkohë që sasia e karburantit me të cilën janë furnizuar një pjesë e konsiderueshme e tyre është rreth 10 milionë litra, e përkthyer në 385 milionë lekë të reja të ardhura, bën të ditur për “DurrësLajm” kapiteni i portit Tauland Allka.
Facilitetet e krijuara në portin tregtar për pritjen e anijeve luksoze kanë përmirësuar ndjeshëm edhe perceptimin e të huajve për portin më të madh në vend.
Këtë vit, konkurenca më e fortë bëhet nga portet fqinje të Malit të zi, ku karburanti për mjetet lundruese të luksit ofrohet me çmimin e bursës, kundrejt qëndrimit 72 orë në portet malazeze.
Konkurenca pranohet edhe nga autoritetet shqiptare, por periudha korrik-shtator, që konsiderohet sezon i lartë pritet të përkthehet në rritjen e numrit të vizitave nga supermjetet luksoze.
“Në 6-mujorin e parë ka një rritje me 15%, kështu që shpresojmë që edhe në korrik, gusht dhe shtator (sezon i lartë) të vazhdojë ky trend. Duhet theksuar që Mali i Zi e ka hequr akcizën e naftës pë furnizimin e jahteve. Sot në Mal të Zi mund ta marrësh me 60 cent litri dhe i vetmi kufizim që kanë vënë është qëndrimi 72 orë. Besoj se ato do të kenë konkurencë me Durrësin”,– tha Allka.
Në 8 muajt e parë të vitit 2024, 450 jahte dhe megajahte e vizituan portin e Durrësit, ndërkohë që prej tyre u volën të ardhura në vlerën e më shumë se 1 miliardë lekë të reja.
M.B.





