Nga Enis Fani
Ky ishte cilësimi që u përdor rëndom gjatë fushatës elektorale për taksën progresive mbi të ardhurat.
Po mbi pronën? A kemi këtu një taksim të ndershëm?
Akti normativ për lirimin e banesave (pas gati 70 vjetësh) u ktheu më në fund pronarëve posedimin e shtëpive të banimit.
Edhe pse kishin rifituar pronësinë prej gati njëzet vjetësh nuk morën dot asnjë të ardhur prej tyre.
Në përgjithësi, në këta 20 vjet shteti dhe politika u tall si me pronarët si me banorët. Këta të fundit i la pa teklif në shtëpi të rrënuara, ndërsa koston sociale për strehimin e tyre ua ngjeshi pronarëve, ndërkohë që i sorollaste pa fund në dyert e gjykatave dhe administratës; a thua se këta nuk kishin hequr mundimet e ferrit, por sikur kishin dalë nga diktatura më të pasur se më parë.
Po le të kthehemi te taksa.
A është e ndershme që këta pronarë të paguajnë një taksë tashmë të rritur?
A është e ndershme që këto shtëpi t’u konsiderohen si të dyta?
Pse duhet ata të paguajnë një taksë thuajse të katërfishuar?
Thuajse të gjitha këto shtëpi nuk përmbushin më kushtet minimale për banim. Për të mund t’i nxjerrë ne treg me një qira minimale, të zotët u detyruan në fillim të paguajnë përmbaruesit për ekzekutimin e vendimeve, më pas borxhet që përdoruesit kishin grumbulluar në vite me kompanitë e ujit dhe të energjisë elektrike, si dhe të investonin aty shuma të konsiderueshme.
Po pse është e drejtë që këto banesa të përjashtohen tërësisht nga barra e taksës së pasurisë?
Në kuptim të efektit në buxhetet lokale qeverisë nuk i kushton gjë t’i përjashtojë këto banesa nga detyrimi i taksës se pasurisë për një periudhë të caktuar kohe. Për pronarët ky do ishte një lehtësim i madh dhe një shtysë për të investuar në rikonstruksionin e tyre.
Në një llogari të thjeshtë qeveria kaq gjë ua ka borxh këtyre pronarëve.
Në njëzet vjet, pa marrë asnjë të ardhur nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që i kishin në pronësi (këtu nuk po llogarisim amortizimin), de facto kanë përballuar kostot që qeveria apo entet lokale kishin për detyrim t’i përballonin. De facto kanë paguar me tepri dhe paraprakisht atë taksë që kërkojnë t’ua marrin sot.
Me shumë se kaq, shteti ka ende detyrime me këta pronarë. Shumica e tyre kanë në AKKP dosje të shumta kompensimi, një kompensim qesharak, që do t’u jepet në 20 a 30 vjet (natyrisht, nipave e stërnipave të tyre).
Për të kuptuar më mirë, le të marrim si shembull një godinë me 4 apartamente të kthyer si pronë në vitin 1994.
Të detyruar nga ligjet në fuqi, e ardhura e pronarëve nga këto apartamente ishte 100 x 4 = 400 lekë në muaj (çdokush me mend në kokë as nuk shkon të kërkojë 100 lekë në muaj), ndërkohë që tregu i qirave ishte minimalisht më shumë se njëqindfish, pra e ardhura që duhej të merrnin (në kushtet e një qiraje sipas tregut), ishte 10 000 x 4 = 40 000 lekë në muaj.
Për çdo muaj kostoja sociale për njerëzit që banonin aty ishte 39 600 lekë.
Këtë kosto nuk e paguante Qeveria, e cila e kishte për detyrim, por, përmes një kuadri ligjor diskriminues, kishte vënë pronarët ta paguanin.
Në njëzet vjet dhe vetëm për katër apartamente, shuma që këta pronarë i kanë paguar qeverisë, që kjo të bëjë politikën e saj në mbrojtje të të pastrehëve, është 39 600 x 12 x 20 = 9 504 000 lekë (afërsisht 90000 USD). Praktikisht, çmimi i tregut për 4 apartamente të reja.
Ja pse është e pandershme, e padrejtë dhe cinike që sot këta pronarë të paguajnë një taksë të katërfishuar për rrënojat që morën në dorëzim.
Të pambrojtur nga ligji pronarët tërhiqen osh sot nëpër dyert e administratës publike për të ruajtur atë pak që u ka mbetur nga agresioni i çdokujt që ende përpiqet t’u zhvatë ndonjë copë.
Shoqatat e tyre, të përdorura e keqpërdorura nga politika më shumë se shtëpitë e tyre, heshtin sot: mundet se nuk dinë ç’të kërkojnë, apo se nuk kanë zë ose nuk përfaqësojnë më ata interesa, për të cilët u krijuan.
Të mbetur pa asnjë zë në parlament apo në media, pronarët janë sot po aq të “deklasuar” sa ç’ishin.
Ende pas gati 70 vjetësh janë qytetarë të dorës së dytë në kuptim të së drejtës së pronës.
Ne Shqipërinë e njëmijë problemeve, natyrisht, që nuk janë këta e vetmja kategori shoqërore me problematika të mprehta, por nga kohëzgjatja e këtij deklasimi janë te vetmit padyshim. Shtatëdhjetë vjet keqtrajtim dhe zhvatje janë shumë për njerëz, faji i vetëm i të cilëve është se etërit apo gjyshërit e tyre punuan dhe u pasuruan në kohë të pasigurta.
* Shkrimi është dërguar posaçërisht për “Dyrrah”-un. Autori Enis Fani është nga Durrësi.





