TIRANE, 1 qershor 2013 – Pas hyrjes në fuqi të ligjit për përgjysmimin e taksës së automjeteve, në Fletoren Zyrtare janë publikuar tabelat, përmes së cilave bëhet përllogaritja e koeficientit të vjetërsisë. 

Sipas Gazetës Shqiptare, taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit është taksë vjetore për çdo vit kalendarik dhe ka vlefshmëri 365 ditë. 

Kjo taksë caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. 

Taksa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. 

Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit përcaktohet në dy tabelat.

Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse.

Ndërkohë që “Viti i vjetërsisë” është diferenca ndërmjet vitit kur mjetit i lind detyrimi për të kryer pagesën e taksës, me vitin e prodhimit.

Ligji i ri përcakton gjithashtu se pas vitit të 4-rt të përdorimit, për autoveturat, koeficienti rritet me 0.04.

Afati 

Pagesa e taksës bëhet brenda afatit të vlefshmërisë, por gjithnjë para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit.

Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit.