Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga selia e LSI-së, kreu i Grupit parlamentar, Petrit Vasili, akuzoi kryeministrin Edi Rama për vendimin që lidhet me taksën për Rrugën e Kombit.
Ndër të tjera, Vasili i bëri thirrje qeverisë Kosovare që përveç reagimit për këtë çështje, të bojkotojë edhe mbledhjet e përbashkëta të qeverive, siç janë zhvilluar edhe më parë.
"Rruga nuk ka përfunduar ende. Koncensinarët nuk kanë ndërtuar rrugën, por kanë marrë rrugën. Ndryshe nga koncensionarët kudo në botë, që mbledhin të ardhurat për të rikuperuar atë që kanë investuar, kjo rrugë është bërë nga taksat. Shqiptarët vazhdojnë të shlyejnë ende 300 euro kredi. Një çmim shumë i rëndë. Kam kënaqësinë ta them se është 7-fishuar bilanci tregtar. Është qesharake të mendojmë, që mbas komunikimeve spektakolare konstatojmë një masë që kontestohet me shumë të drejtë, siç ka folur qeveria kosovar, madje dhe presidenti Thaçi. Vendim që ka shkaktuar reagim në Kosovë. Por pyes se çfarë kanë diskutuar në mbledhjet e përbashkëta. Do i bëja thirrje miqësore kolegëve të Kosovës, që mos t’i bashkohen më këtij show (Mbledhjeve të përbashkëta). Kjo taksë nuk duhet të fillojë aplikimin. Duhet të bëhet një analizë e re, e thelluar. Duhet të ketë një qasje të integruar për këtë çështje midis qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë."





