Dy të rinj nga Kosova, Muhamed Bajrami, i cili sapo ka përfunduar ekonomikun në Padova dhe inxhinieri Mustafa Pashtriku, po kthehen në Prishtinë.

Ashtu si i gjithë populli i Kosovës edhe dy të rinjtë janë të mërzitur nga vendosja e taksës në Rrugën e Kombit nga qeveria shqiptare.

Kostoja 10 euro për një veturë të Kosovës, vajtje – ardhje, është po aq e shtrenjtë edhe për banorët e Kukësit, sepse Shqipëria dhe Kosova kanë pagat më të ulëta në rajon, si në sektorin privat ashtu edhe për administratën publike, argumentojnë të rinjtë.

Duke analizuar situatën e krijuar, ata thonë se biznesi ka rritje kostosh me vendosjen e taksave të tilla të pastudiuara nga ana e qeverisë shqiptare. Këto taksa kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e familjeve të Kosovës dhe pritet të frenojnë jo pak ardhjen e tyre në Durrës.

Konkurenca është e lartë dhe në mes të zemërimit që ka populli i Kosovës do të kërkojë të gjejë vende të tjera më të lira për të pushuar, shprehen të rinjtë.

Sipas tyre, taksa vendoset për mirëmbajtjen e rrugës, por me çmime të tilla të papërballueshme për popullsinë shqiptare në të dy krahët e kufirit, është çështje që duhet të rishikohet me seriozitet nga ana e qeverisë shqiptare.

Shumica e familjeve të Kosovës kanë paga që variojnë nga 200 deri në 350 euro në muaj. 10 euro taksë veture, aq sa shpenzojnë për karburantin të vijnë nga Kosova në Durrës, konsiderohet e lartë dhe e tepërt për Rrugën e Kombit, që sipas tyre, u ndërtua të bashkojë e jo të ndajë popullin shqiptar në dy pjesë.

Në ditën e dytë të aplikimit të taksës për rrugën Durrës-Kukës, në tunelin e Thirrës, që përkon me fundjavën e fundit të marsit, e cila shënon diell e temperatura të larta në plazhin e Durrësit, numri i kosovarëve të mbërritur në pjesën bregdetare është në minimumin e tyre historik.

K.H.