Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me taksën për profesionet e lira, ndërsa thekson se drejtoria e Tatimeve ka njoftuar këstet për tatimin e tyre.

Demokratja thekson në mesazhin e saj në rrjetet sociale se njoftimet e publikuara dhe që i kanë dërguar në masë nga profesionistët e lirë janë abuzuese.

REAGIMI I TABAKUT

Ndërkohë që jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin edhe vendimin ndaj padisë së dërguar mbi Tatimin e Profesioneve të Lira, Drejtoria e Tatimeve njofton këstet për tatimin tek profesionistët e lirë me një nxitim të pashpjegueshëm dhe të padrejtë.

Njoftimet e publikuara dhe që më janë nisur në masë nga profesionistët e lirë janë abuzuese. Siç e kam paralajmëruar i kërkohet profesionisteve të vetëdeklarojnë xhiron vjetore, të deklarojnë mënyrën e pagesës e detaje të tjera që cënojnë çdo parim normal të funksionimit të biznesit.

Nxitimi i Drejtorisë së Tatimeve është ajo e një qeverie që do të përfitojë nga rasti për t’u marrë djersën e ballit një shtrese që punon për të rritur të ardhurat sipas ligjit dhe që vë në funksion të shoqërisë dijen dhe eksperiencën e tyre.

Çfarë është ky sistem ku puna penalizohet? ku sipërmarrja “gjobitet” e hajdutëria ngrihet në piedestal? A e mendoni një sipërmarrës ekonomist apo audities, një farmacist a një të ri ne fushën e teknologjisë së informacionit se çfarë modeli i ofrojmë? Mbitaksojmë padrejtësisht iniciativën e lirë e promovojmë me lehtësira fiskale dhe zero taksa korrupsionin në tendera e koncesione!

Gjykata kushtetuese duhet të marrë në shqyrtim padinë e grupit parlamentar të PD dhe palëve të interesuara si auditët, kontabilistët, juristët e noterët që janë tashmë të depozituara.