* Në bashkinë e Tiranës dhe Durrësit, taksat më të shtrenjta

19 nëntor 2015 – Qeveria, përmes paketës së re fiskale, ka bërë me dije se kanë ndryshuar edhe taksat për banesat, si dhe shitblerja e pronësisë.

Ndër ndryshimet e tjera të parashikuara, është edhe taksa për trojet, taksë e cila tashmë do paguhet nga pronari, por edhe nga përdoruesi i pronës në fjalë.

“Taksës mbi pasurinë e paluajtshme i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë apo përdorues të pasurive të mësipërme, në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre pasurive”, thuhet në nenin e ndryshuar, i cili fuqizohet nga 1 janari 2016.

Një tjetër ndryshim i parashikuar, është edhe vetëdeklarimi i sipërfaqes së pronës (ndërtesës apo tokës), të cilën ky përdorues e bën në rast se i mungon dokumentacioni i pronësisë, pranë komunës apo bashkisë që përfshihet prona.

Ndërkaq, taksa për shitblerjen e pronës ka ndryshuar, e kategorizuar me ndryshime mes qyteteve, shifrën më të madhe e ka në prona të pozicionuara në bashkinë e Tiranës dhe Durrësit. Kjo taksë, tashmë është 1000 lekë/m2 për ndërtesa banimi. Ndërsa, për ndërtesa për të ushtruar aktivitet tregtar, kjo taksë shitje bëhet 2000 lekë/m2.

Një taksë tjetër është edhe ajo mbi truallin ku është vendosur që të paguhet në katër nivele sipas kategorizimeve të rretheve. Këto nivele taksash janë nga 5600 lekë/ha në 4200 lekë/ha në 2800 lekë/ha dhe 1400 lekë/ha.

Tjetër ndryshim është parashikuar në ndryshimin e taksës së ndërtesës, ndarje mes ndërtimeve para vitit 1993 dhe pas këtij viti. (si në tabelën më poshtë:)

Ja ndryshimet:

Neni 9

Në nenin 20, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Pika 1 ndryshon, me këtë përmbajtje: “1. Taksës mbi pasurinë e paluajtshme i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë apo përdorues të pasurive të mësipërme, në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre pasurive. Bëjnë përjashtim rastet kur në ligj parashikohet ndryshe. Detyrimin për taksën mbi pasurinë e paluajtshme e ka, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente pronësie.”

Në pikën 2 shtohet germa “c”, me këtë përmbajtje: “c) taksa mbi truallin.”.

Neni 10

Pika 2, e nenit 21, ndryshon, me këtë përmbajtje: “2. Kategoritë minimale të bazës së taksës dhe nivelet treguese të taksës, për çdo kategori minimale të bazës për taksën mbi ndërtesën, për taksën mbi tokën bujqësore dhe për taksën mbi truallin (jo hapësirë publike), jepen, përkatësisht, në anekset 1, 2 dhe 2.1, që i bashkëlidhen dhe janë pjesë përbërëse e këtij ligji.”.

Neni 11

Në paragrafin e parë, të nenit 22, pas fjalisë së dytë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje: “Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i ndërtesës bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së ndërtesës, pranë bashkisë ku ndodhet ndërtesa.”.

Neni 12

Në fjalinë e parë, të pikës 1, të nenit 23, pas fjalës “…në pronësi…” shtohen fjalët “…në përdorim,,” dhe pas fjalisë së dytë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje: “Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i tokës bujqësore bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së tokës bujqësore, pranë bashkisë ku ndodhet toka.”.

Neni 13

Pas nenit 23, shtohet neni 23/1 me këtë përmbajtje: “Neni 23/1 Taksa mbi truallin 5 1. Baza e taksës mbi truallin është sipërfaqja e truallit, në hektar, në pronësi apo përdorim të taksapaguesit. Sipërfaqja e truallit në pronësi përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë atë. Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i truallit bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së truallit në përdorim, pranë bashkisë ku ndodhet trualli. Kategoritë minimale të truallit jepen në aneksin 2.1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Për çdo kategori minimale të truallit, këshilli bashkiak mund të miratojë nënkategorizime. 2. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme. Nivelet treguese të taksës, për çdo kategori minimale të bazës së taksës, jepen në aneksin 2.1, të këtij ligji. 3. Taksa e mbledhur, në mbështetje të këtij ligji, paguhet në buxhetin e bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet prona e taksueshme.”.

Neni 14

Në nenin 27, shtohet fjalët “…kur kostoja e rehabilitimit nuk është përfshirë në preventivin e investimit…”. Neni 15 Anekset nr.1, nr.3 dhe nr.6 zëvendësohen me anekset 1, 3 dhe 6, që i bashkëlidhen këtij ligji dhe janë pjesë përbërëse e tij.

Neni 16

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2016. /Monitor

/portali DurresLajm/