Nga Besi BEKTESHI
Çfarë do të thotë se “duhet të taksosh pagat nën 30.000 lekë të reja” si koncept ekonomik? Po sigurisht, unë mendoj se duhet të jetë “ndonjë shifër e madhe që mungon” përderisa do t’i marrësh një rroge prej 212 euro një sasi të tillë! E propozon FMN, thonë në shtyp! Haaa shumë bukur, por pyetja del se po prishen disa baza ekonomiko-financiare të premtimit socialist dhe të majtë në Shqipëri?!
Të një ndryshimi që ky model ka nga ai i mekanizmit financiar dhe demeko-zhvillues i Sali Berishës! E para, po tatohen fukarenjtë dhe e dyta, po hidhet në tavolinë (kthehet) taksa progresive si e leverdishme dhe e suksesshme në Shqipëri!? Pastaj sot po lexoja Erion Braçen me një shkrim tipik ku “dhëmb dhe ku djeg” e botuar në “Balkanweb” dhe sigurisht jam i prirur ti besoj seriozisht teorisë së vërtetë të taksave në Shqipëri, se “ato nuk mblidhen” dhe për këtë shtohen! Ky ka qenë një turp për të gjithë qeveritë deri tani dhe ka mundësi të jetë dhe një turp për qeverinë e sotme, nëqoftëse vijon po e njëjta punë… them! E sigurisht vjen konfirmimi nga po “Balkanweb” sepse Briseida Shehaj, ose drejtoresha e tatimeve thotë: Nga tetori 2013-të dhe në korrik 2015-të dëmi për evazion dhe skemat e mashtrimit të denoncuara në prokurori është 122 milionë euro! Ajo thotë se 66 vetë janë arrestuar dhe ka 246 çështje penale me 456 autorë. Nuk paguhen taksat, përvidhen dhe ka skema mashtrimi të jashtëzakonshme në këtë vend. Ndërkohë, FMN propozon akoma rritje të taksës dhe presion fiskal mbi pagat 30.000 lekëshe.
Kjo është nonsens si ekonomik dhe politik! Ekonomik, sepse asgjë nuk mund të krahasosh mes këtij presioni fiskal dhe humbjes me 12.2 miliardë lekë në dogana-taksa?! Në anën tjetër, kryeministri Rama i ka shpallur në shtator luftë evazionit dhe mashtrimit me taksat si aksion i vërtetë kombëtar! Po ashtu në anën politike taksimi i pagës prej 30.000 lekësh do ti hapte gojën Berishës që e hoqi taksimin në mars të vitit 2013. Ky mendim i hedhur si provë apo si një “eksperiment mendoj unë që po e hëngrën e hëngrën”, nuk do të shtonte ndonjë pakënaqësi dhe njëri të pakënaqur me shumë, sepse janë konkretisht të pakënaqur gjithsesi te kjo shtresë, por do të siguronte edhe disa dyshues, se arroganca tashmë ka filluar të bëjë punën e vet në qeverisje. E kur kjo e fundit fillon punën, qeverisja ka kaluar majën e saj të arritjeve dhe tani po nis …rënien apo dashezën! Po, a është për një rënie të tillë mazhoranca e sotme? A duhet ta fillojë rënien përpara kohe, apo vërtetë e ka ngrënë dreqi këtë punë?! Sigurisht që është mirë që u mblodhën lekët e energjisë, që luftohet kanabis, që luftohet informaliteti në ndërtime, që prishen ato, që vihet rregull, por nuk kuptoj “pse kruhen me pagat 30.000 lekëshe” në një kohë që pakënaqësia është tepër e madhe, por dhe durimi për të parë dritë në fund të tunelit, është nga fundi?!
Nga të gjithë marrëzitë e Berishës me një shtet idiot, që lejonte që çdo idiot të bënte idiotësitë kapitaliste më të mëdha pa pyetur fare për rregulla, kjo mazhorancë nuk duhet të lejojë humbjen e sensit të kufirit të “durimit pa shpresë”, të një populli që ka dhënë dy herë verdiktin e tij për Ramën! Them Ramën, sepse kështu ka shkuar puna të besohet vetëm te individi. Dikush thotë është keq, dikush thotë është mirë, se shqiptarët nuk kanë nocionin e demokracisë! Unë nuk jam aspak në dyshim se kush është e drejta, por më lodh e vërteta te ne, e cila i bie në qafë demokracisë shumicën e kohës!
Fabrika më e madhe dhe nxjerrësja më e madhe e lekëve në Shqipëri është dogana dhe sigurisht fisko?! Problemi i presionit fiskal në Shqipëri po rrezikon në saj të këtij kapaciteti prodhues lekësh, sindromën e “ÇEZ” ose dhe më përpara. Po pra, kishte humbje dhe nuk paguanin, shteti apo drejtoritë nuk mblidhnin lekë e FMN-ja urdhëronte shtimin e çmimit të energjisë! Tani nga vjedhja e mospagimi i taksave, apo dhe skemave hajdute në dogana dhe tatime detyron që nga humbjet FMN-ja të urdhërojë rritje të presionit fiskal mbi fukarenjtë! Po pse duhet të presionojnë fukarenjtë xhanëm?! Çfarë nxjerrin prej tyre? A nxirret dhjamë nga pleshti?! Nuk jam që të mos paguajnë taksa dhe fukarenjtë, por pse duhet të bëhet kështu, kur të gjithë e dinë se ky presion po provokohet dhe po urdhërohet padrejtësisht, kundër ideve dhe propozimeve të së majtës në 2013-tën?! Ndoshta nuk e bëjnë dhe ashtu besoj. Besoj se është një eksperiment për të marrë vesh se sa “do ta hanë” ose si do të reagohet për këtë gjë! Ka dhe një problem të madh! Opozita shqiptare dhe kryesisht PD, është “out” politikisht dhe sidomos nuk e ka seriozisht dhe sinqerisht, se po ta kishte do të sillej ndryshe në formë dhe përmbajtje, dhe jo me “fjalë të ndyra” si përditë.
Nëqoftëse edhe “korifenjtë” e sotëm të mazhorancës dorëzohen përpara këtij rebusi me “mblidh gjithë taksën dhe mos shto presionin fiskal” atëhere ka përfunduar dhe kjo punë fatkeqësisht. Kështu kishin doktorin e famshëm që e shoqëronte presion fiskal dhe me rritje pagash, sepse donte me këtë të lante “shu..ë me m..t”, duke bërë pastaj një marrëzi financiare që po paguajmë dhe sot, duke pasur evazion fiskal gjigand, informalitet dhe një shtet që nuk ka rregull fiskal dhe kupon në pjesën më të madhe të territorit të tij. Ai kështu e donte vendin që po komandonte. Por kjo është komanda dhe në fakt qeverisja është ndryshe. Një vend nuk komandohet por qeveriset, edhe pse gjysma janë budallenj thotë dikush! Por ka aforizma akoma më të qartë dhe për taksat apo presionin fiskal. Ja bie fjala Mackenzie King thotë: “Premtimet e djeshme janë taksat e sotme”! Kurse Andreë Jackson sqaron: “Urtësia e njeriut nuk ka mundur të gjejë deri më sot një sistem taksimi që të mund të veprojë në barazi perfekte”! E bukur kjo ëëë?! Dhe ne pastaj merremi me “jo kjo, jo ajo formë”, kur të gjithë e kuptojnë se nuk ka barazi në këtë gjë. Kuptohet se edhe të pasurit, ata që kanë fituar shumë dhe fitojnë shumë, kur janë të drejtë i përshtaten thënies së Jean Rigaux që është kështu: Një milioner është një miliarder që paguan taksa! Hahahaha …e bukur kjo!? Por kur ka dhe miliarderëëë… që nuk kanë paguar miliona taksa …çfarë mund të thuhet?!
Unë, sigurisht jam me Mario Bichiochio që bën humor me taksat, por që thotë: “Të mos paguash taksat është një mëkat, por ti paguash ato është një mrekulli”! E kjo më bën të mendoj njësoj si Braçe, (kështu është thënë përpara 2013-tës) që është më mirë t’ua mbledhësh të gjithëve taksat, se sa ti shtosh taksat si presion ndaj fukarenjve se “disave në Shqipëri nuk ju do bytha të paguajnë” e për këtë e hanë mijra e mijra të tjerë! Në këtë pikë, nuk të ndihmon dhe opozita, e cila vetëm akuzon se qeveria vjedh dhe kështu nuk bën asgjë, por demagogji dhe propagandë, si të ishte e bija e Marksit që thoshte: “Ka vetëm një mënyrë të shkatërrosh kapitalizmin që është… taksa …taksa… taksa…”.
Unë po e mbyll me një të thënë jo timen, që e kam vënë dhe titull të këtij shkrimi. Ajo është kështu: Taksat janë si minifundet?!? Tamam dhe thuhet gjithnjë: Përtej këtij limit nuk mund të ngjiten. Por gjithmonë gabohet… gjithmonë?! E qartë besoj!?
Marrë nga gazeta "Sot", 9 gusht 2015