TIRANE, 6 korrik 2013 – Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka mbledhur rreth 589 milionë lekë të ardhura nga mbi 42 mijë debitorë të taksës vjetore të automjeteve.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për taksat, që përgjysmoi taksën vjetore për automjetet, iu dha mundësi të gjithë qytetarëve që nuk kishin paguar detyrimet, jo vetëm të vitit 2013, por edhe të viteve të mëparshme, që ti paguanin ato brenda 30 qershorit, me taksën e përgjysmuar dhe pa penalitete.
Nga kjo amnisti, nga periudha 20 maj-30 qershor 2013, kanë përfituar 2532 qytetarë që nuk kishin paguar taksat që në vitin 2011. Për këtë vit në arkën e shtetit janë mbledhur rreth 31 milionë lekë të ardhura.
Ndërsa, debitorët që nuk kishin shlyer detyrimet për vitin 2012 dhe që përfituan nga ligji i ri ishin 9467 persona, nga të cilët u mblodhën 141 milionë lekë. Ndërkaq, numri i qytetarëve që kanë neglizhuar pagesën e taksës në afatin e caktuar kohor për këtë vit ka qenë tejet i lartë.
Drejtuesit e automjeteve që kanë paguar taksën me ligjin e ri në periudhën maj-qershor për vitin 2013 ka qenë 28 mijë e 197, nga të cilët janë mbledhur 417 milionë lekë. Tashmë, personat debitorë dhe që nuk kanë përfituar nga amnistia, nga data 1 korrik do t’i paguajnë detyrimet me taksën që i korrespondon çdo viti dhe me penalitetet me gjobë sipas ligjit në fuqi.





