Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga komunat e tjera të vendit ka hapur debat të fortë publik dhe politik në Kosovë.
Debati buron nga një vendim i datës 31 mars i Kuvendit Komunal të Prishtinës për të nisur dëgjesat publike lidhur me rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, e cila daton nga viti 2011. Në qendër të diskutimit është pikërisht neni 14, që parashikon pagesën prej 10 euro për çdo automjet të regjistruar jashtë kryeqytetit që hyn në zonën e përcaktuar.
Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, e kundërshton ashpër këtë propozim, duke thënë se nuk ka bazë ligjore dhe se mund të përfundojë në Gjykatën Supreme.
Pikë së pari, nuk ka ndonjë bazë ligjore me të cilën Komuna e Prishtinës mund ta vendosë këtë tarifë. Ajo mund të jetë në rregullore, sikur që ka bërë edhe me ‘Prishtina Parking’ që me rregullore një kohë mbledhi para, shqiptoi gjoba, po tash ato gjykata i rrëzoi. Jam shumë i sigurt që edhe këtë tarifë të cilën do ta vendosë eventualisht Komuna e Prishtinës, Gjykata Supreme do ta rrëzojë sepse kjo nuk mund të shkojë në kushtetuese, sepse nuk ka ligj për këtë rregullore. Prandaj është kompetencë e Gjykatës Supreme të marrë një vendim përfundimtar për këtë tarifë”, tha Shala për Kosovapress.
Ai paralajmëroi se një vendim i tillë do të krijonte precedent dhe pasoja të shumta.
“Nëse krijohet një precedent dhe lejohet një tarifë, atëherë çdo qytet do të ketë të drejtë të vendosë tarifë. Ku do të shkojmë ne nëse çdo qytet në Kosovë vendos tarifë për hyrje në atë qytet? Krijohet një kaos, kështu që kjo nuk është asnjë zgjidhje, është zgjidhje kundërligjshme, është një zgjidhje e pazbatueshme. Nuk mundet kryetari i Prishtinës ta marrë modelin e Londrës e ta vendosë në Prishtinë. Londra është tjetër, Prishtina është tjetër”, deklaroi ai.
Sipas tij, problemet në trafik nuk zgjidhen me tarifa, por me investime në infrastrukturë dhe organizim më të mirë të qarkullimit.
Kundërshtime ndaj këtij rregulli ka pasur edhe në nivel politik. Jeton Mehmeti tha për Kosovapress theksoi se kjo masë cenon barazinë para ligjit, ndërsa Gëzim Sveçla ngriti shqetësime për ndikimin e saj.
Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha, ka theksuar nevojën për ndryshimin e rregullores ekzistuese.
Reagime kanë ardhur edhe nga komunat përreth. Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ironizoi me këtë propozim:
“Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendos një taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe një taksë për hyrjen në rrugën e aeroportit në vlerë prej 10 euro”, tha ai.





