Një tjetër sezon emocionues u mbyll në Kategorinë Superiore, ku nuk mungoi lufta e fortë sportive si dhe polemikat që shoqërojnë atë. Në përfundim të një edicioni të tillë sigurisht është koha e llogarive, për të parë leksionet që klubet kanë marrë nga eksperienca e fituar. Ajo që vihet re këtë edicion është shpërthimi i elementëve të rinj, futbollistë të së ardhmes gati për të hedhur hapin cilësor drejt perëndimit.

Kategoria Superiore bëhet gati të arkëtojë këtë verë një shumë të konsiderueshme parash nga shitjet e talenteve të saj, rreth 2.5  milion Wuro, një shifër e padëgjuar më parë.Listën e kryeson Liridon Latifi, për të cilin Skënderbeu pritet të arkëtojë të paktën 1.5 milion Euro. Padiskutim një nga futbollistët më të mirë të kampionatit, 23 vjecari është kërkuar edhe gjatë merkatos së dimrit, teksa tashmë duket momenti për të hedhur hapin cilësor.

Në gjurmët e tij është edhe Dejvi Bregu, mesfushori vlonjat që me shpërthimin e tij në Gjirokastër ka tërhequr vëmendjen e klubeve perëndimore. Për numrin 21 të Luftëtarit përflitet për një ofertë rreth 500 mijë Euro, megjithatë drejtuesit e bluzinjve janë në pritje të vendimit të etikës për cështjen Skënderbeu në mënyrë që të marrin vendimin përfundimtar për të ardhmen e vlonjatit.

Albi Doka ka shkëlqyer me Tiranën këtë sezon, duke tërhequr vëmendjen e menaxherëve të huaj, teksa përflitet për një ofertë në drejtim të klubit për shifrën e 350 mijë Eurove. I fundit që duket të ketë marrë një ofertë konkrete është Realdo Fili i Partizanit. 200 mijë Euro janë gati nga Turqia për të marrë shërbimet e mesfushorit fierak.

Gjithashtu në vëmendje të klubeve të huaja janë edhe të tjerë të rinj të talentuar si Abazaj e Rroca të Luftëtarit, Merveille dhe Acquah të Tiranës, apo edhe Ylber Ramadani i Partizanit. Besimi tek të rinjtë, nuk sjell rezultate të mira vetëm në fushë, por edhe në aspektin financiar, me klubet shqiptare që po gjejnë një tjetër dritare për të mbushur arkat e tyre.