Erigs Arifi pa dyshim është lezeti i kësaj Teute, sa herë e sheh me topin në këmbë, ai gjithmonë është brilant. Kundër Elbasanit i riu u përzgjodh dhe si lojtari i ndeshjes në barazimin pa gola. Në prononcim 10-shi i skuadrës blu shprehet i lumtur për paraqitjen personale, si dhe beson se bashkë me shokët deri në fund do t’ia dalin të largohen nga fundi i klasifikimit.

Sa i lumtur jeni për paraqitjen personale në këtë ndeshje?

Të them të drejtën, ndihem shumë mirë, pasi kam kaluar disa dëmtime këtë periudhë. Shpresoj të vijoj kështu që të jem në ndihmë të ekipit.

Çfarë nuk shkoi ndaj Elbasanit që nuk arritët të fitonit?

Nuk shkuan shumë gjëra, zhvilluam një ndeshje deri diku të mirë, krijuam shumë, por pa gjetur dot golin. Kishim edhe ne rastet tona, ku rrezikuam në disa momente. Ajo ndeshje ka kaluar dhe tani do të përpiqemi të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe më pas të bëjmë llogaritë.

Çfarë prisni nga ndeshja me Partizanin?

Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe nuk duhet të humbasim. Një humbje tjetër do të vështirësonte goxha situatën në renditje. Do ta përgatitim ndeshjen që të marrim tri pikë. Partizani vjen nga një gjendje e mirë psikologjike, sepse fitoi. Duhet të kemi dhe pak fat, pasi edhe kjo është pjesë e futbollit.

A është e motivuar skuadra për të rikthyer ecurinë pozitive?

Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër, rezultatet që kemi marrë sjellin edhe një gjendje më të mirë psikologjie. Neve nuk na mbetet gjë tjetër, duhet të vijojmë me këtë lojë të mirë që të kërkojmë rezultat pozitiv duke filluar që nga ndeshja e radhës.

Ju duhen pikët, por në të njëjtën kohë edhe kundërshtari po lufton për “Final 4”, e bën të vështirë ky fakt këtë duel?

Çdo ndeshje është e vështirë, andaj ne, si në çdo ndeshje, hyjmë për fitore, pavarësisht se kë kemi përpara. Ne do të vazhdojmë me synimet tona, të lëmë atë vend ku jemi. Kemi një grup shumë të mirë e të palodhur në çdo aspekt dhe mendojmë vetëm për objektivat tona, për asgjë tjetër.