Talenti durrsak Klevis Hoxha, ka kaluar me sukses provën te gjigantët e Dinamos së Zagrebit dhe ka nënshkruar parakontratë.

Mbrojtësi i krahut të djathtë bindi trajnerët e Dinamos gjatë provës dyjavore dhe firmosi parakontratë tek akademia më e madhe në Ballkanin Perëndimor.  

Gjatë kësaj aventure, Klevis Hoxha, pati një takim të veçantë me sulmuesin e Shqipërisë, Arbër Hoxha, i cili luan te gjigantët kroatë.

Sipas kësaj parakontrate, mbrojtësi që ka spikatur te të rinjtë e Teutës, kur të mbushë 16-vjeç do të jetë pjesë e akademisë së Dinamos së Zagrebit.

15-vjeçari aktualisht është pjesë e ekipit U16 të Teutës.

Me “Djemtë e Detit”, këtë sezon ka luajtur në dy takime, ndërsa në sezonin e shkuar grumbulloi 22 ndeshje, te të gjitha titullar.

Përveç stërvitjes me shokët e ekipit të Teutës U16, Hoxha bën edhe përgatitje individuale sipas programit, që i kanë dhënë drejtuesit e akademisë së Dinamos së Zagrebit, ndërsa progresi i tij monitorohet.