Edhe universitet edhe Shkollë e Lartë Universitare?!
– Të quash shkencë të aplikuar… menaxhim biznesi, financë, infermieri
– Kur VKM-ja e Berishës shkelet nga Ministri Tafaj
– S’dihet kush është rektori dhe stafi akademik
DURRËS, 5 gusht 2014 – Grupit arsimor “Talenti” shpk, i famshëm për ngeljen në provim të krejt maturës, i hiqet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit licenca dhe për Shkollën e Lartë Universitare “Akademia e Studimeve të Aplikuara” Durrës.
Edhe universitet edhe Shkollë e Lartë Universitare
I vetëquajturi GRUPI ARSIMOR “TALENTI” kishte në përbërje, sipas statusit në FB (shih poshtë faksimilen e print-screen-it) “parashkollore, shkollë jopublike 9-12-vjeçare e përgjithshme, artistike, gjimnaz me kohë të shkurtuar [ç’është ky gjimnaz me kohë të shkurtuar dhe shkollë 12-vjeçare?! – “Dyrrah”-u], universitet, Akademia e Studimeve të Aplikuara “Talenti” [edhe universitet, edhe Shkollë e Lartë Universitare “Akademia e Studimeve të Aplikuara”?! – “Dyrrah”-u].
Të quash shkencë të aplikuar… menaxhim biznesi, financë, infermieri!
Dhe si për t’i vënë kapakun, ky institucion privat (Shkollë e Lartë Universitare “Akademia e Studimeve të Aplikuara”) “ofron programe studimi në fushën e shkencave të aplikuara, në degët: menaxhim biznesi, financë, infermieri, duke synuar të sjellë një profil të qartë në tregun e arsimit të lartë shqiptar”.
Mirë një mashtrues dhe i paditur përfshin në shkencat e aplikuara /e zbatuara menaxhim biznesi, financë, infermieri, por është për t’u habitur sesi dy politikanë që vijnë nga bota akademike si prof. Sali Berisha (Kryeministër) dhe prof. Myqerem Tafaj (Ministër i Arsimit dhe Shkencës) hedhin nënshkrimet në një Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 693, datë 12.10.2011 dhe Urdhër për licencim që “Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të ofrojë programet në menaxhim biznesi, financë”.
“Dyrrah”-u nuk ka ndërmend të fyejë inteligjencën e lexuesve me përkufizimin se ç’është shkenca e aplikuar /e zbatuar (anglisht: the applied science)!
Kur VKM-ja e Berishës shkelet nga Ministri Tafaj
Në faqen e vet, pronari shkruan se “Shkolla e Lartë Universitare “Akademia e Studimeve të Aplikuara” Durrës në nëntor të vitit 2011, filloi funksionimin e saj si institucion i arsimit të lartë”.
Kurse Vendimi (shih faksimilen) i Këshillit të Ministrave, nënshkruar nga Kryeministri Sali Berisha, nr. 693, datë 12.10.2011 “Për licencimin e Akademisë së Studimeve të Aplikuara, Durrës”, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 150, 10 nëntor 2011, përcakton në pikën 5: “Akademia e Studimeve të Aplikuara, Durrës ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikën 3 të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se tri javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës”.
Pra, i bie që veprimtarinë mësimore ta fillonte në vitin 2012.
Por ish-Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Tafaj, në Urdhër nr. 62 (shih faksimilen), datë 17.2.2012, botuar në Fletoren Zyrtare, nr. 26, 27 mars 2012, sanksionon: “Lejimin e fillimit të veprimtarisë akademike të Akademisë së Studimeve të Aplikuara, Durrës… në vitin akademik 2011-2012”.
Kështu, “bishti” (z. Ministër) rëndon më shumë se “sqepari” (Kryeministri), pasi z. Tafaj ka legalizuar faktin e kryer të privatit me një Urdhër prapaveprues.
S’dihet kush është rektori dhe stafi akademik
Është e kotë të kërkosh në faqen në internet të kësaj Shkolle të Lartë Universitare Akademia e Studimeve të Aplikuara me inicialet ASA (lidhje: http://asa.edu.al/asa/staff) se kush bën pjesë në stafin akademik (shih faksimilen e print-screen-it), rektori (http://asa.edu.al/asa/rector), ku botohet një përshëndetje rektori pa emrin e tij.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





