Një ditë pas protestës së opozitës dhe gjobitjes së kësaj të fundit nga ana e bashkisë së Tiranës me 163 milionë lekë (të vjetër), kryetari i PD-së Lulzim Basha në një deklaratë nga selia blu, tha për mediet se “Veliajt do t’i çoj një kastravec 163 milimetra”, pra duke lënë të nënkuptohet se nuk ka ndërmend që ta paguajë gjobën.
Gjatë prononcimit të tij, Basha nënvizoi se “Partia Demokratike nuk distancohet sot nga aktet e dhunës sepse ka qenë dhe është e distancuar”.
“Vërshimi i shqiptarëve në sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte mesazhi më i qartë i mbështetjes së PD-së dhe opozitës, dhe kërkesës për zgjidhjen politike që koha ka shtruar për të tejkaluar krizën e rëndë ekonomike shoqërore. Zgjidhja e mbështetur nga qytetarët është zgjidhja që vjen nga dëshpërimi, të cilët kanë qenë këto dy vite të dhunuar në të drejtat e tyre elementare, është zgjidhja që kërkohet dhe vjen nga biznesi e sipërmarrja e që për 2 vite me radhë ka qenë subjekt i padrejtësive të Qeverisë Rama”, deklaroi Basha.
Lideri i demokratëve theksoi gjithashtu se protestat do të vazhdojnë pa pushim dhe se mosbindja civile sapo ka nisur.





