Më në fund është zyrtarizuar: Thiago Motta është trajneri i ri i Juventusit.

Trajneri italo-brazilian ka nënshkruar një marrëveshje me Juventusin deri më 30 qershor 2027.

“Jam shumë i lumtur që filloj një eksperiencë të re në krye të një klubi të madh si Juventus. Falënderoj presidentin dhe menaxhimin, të cilëve u siguroj të gjithë ambicien time për të mbajtur ngjyrat e Juventusit lart dhe për t’i bërë tifozët të lumtur”, ishin fjalët e para të ish-trajnerit të Bologna. 

Thiago Motta filloi karrierën e tij si trajner në 2018 – duke u nisur nga ekipi i të rinjve të Paris Saint Germain, ekipi me të cilin ai kishte përfunduar aventurën e tij të lojës disa muaj më parë.

Në Itali ai mbërriti në pankinën e Genoas në vitin 2019 dhe më pas drejtoi Spezian dhe Bolonjan, skuadrën në të cilën në dy vitet e fundit ai arriti të shfrytëzonte sa më shumë nga idetë e tij të lojës dhe me të cilën arriti një kualifikim historik në Champions League.