TIRANE, 22 qershor 2013 – Kryeministri shqiptar Sali Berisha përshendeti sot pasdite takimin që u mbajt sot në Bruksel midis Presidentit te Komisionit Europian, Barroso dhe Presidentit të Republikës mike të Azerbajxhanit, Alyeev.
“Sic u njoftua dhe konferencën e tyre të shtypit Presidenti Barroso dhe Presidenti Alyeev, cështje kryesore e këtij takimi ishte vendimi i Konsorciumit Shah Denis 2 për gazsjellësin TAP apo Nabuko Light. Ndonëse nga takimi u theksua se Europa ka nevojë për të dy gazësjellësit, duket qartë se vendimi është tashmë i pjekur për projektin më të leverdisshëm nga ana tregtare dhe që ndërtohet më shpejt dhe që është pikërisht TAP”, citon njoftimi për shtyp nga kryeministria.
Më tej njoftimi thekson se “Shqipëria si vend i angazhuar prej vitesh në mbështetjen e TAP me një rol nevralgjik në këtë projekt shpreh dhe një herë vendosmërinë e saj për të përmbushur cdo detyrim që rrjedh nga ndërtimi i këtij projekti në përputhje me marrëveshjet bilaterale dhe trilaterale që vendi ka firmosur me partenerët dhe aksioneret e tij. Projekti i TAP ka rëndësi të madhe strategjike për Shqipërinë mbasi bën të mundur gazifikimin e Shqipërisë me ndikim direkt në krijimin e mbi 20 mijë vendeve të punës dhe uljen e ndjeshme të kostos së jetesës për shqiptarët”.





