TIRANE, 4 korrik 2013 – Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit zhvillon mbledhjen nën drejtimin e kryeministrit Berisha. Në qendër të kësaj mbledhjeje është miratimi i planit kombëtar sektorial për projektin e gazsjellësit TAP.
Kryeministri Berisha theksoi se ky plan përbën dokumentin final të autoriteteve shqiptare, për konsorciumin që ndërton gazsjellësin që kalon në territorin e Shqipërisë dhe në pjesën detare të saj. Sipas Berishës, projekti TAP është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë.
Sipas një studimi të Oksfordit, tha Berisha, “për buxhetin ky projekt do të sjellë çdo vit rreth 150 milionë dollarë të ardhura”, ndërsa nga ndërtimi i tij, do të përfitojnë nga shpronësimet dhe punësime dhjetëra mijëra familje si dhe bizneset. TAP si burimi më real i mundshëm për gazin, nis vitin e ardhshëm ndërtimin, përfundon në 2018 dhe në 2019 Shqipëria merr gazin e parë.
“Gazsjellësi TAP është projekti më gjigand. Për herë të parë në histori peshku i madh nuk ha të voglin. TAP fillon me 40 miliardë dollarë investim fillestar, sepse fusha të tjera të mëdha gazi nga Turkmenistani dhe zona të tjera do ti bashkohen në të ardhmen. Projekti është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. E vendos Shqipërinë në një pozicion të rëndësishëm në problemet energjetike evropiane. Eshtë një rast për të falënderuar të gjithë ata që kontribuan në përzgjedhjen e këtij projekti.”- u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas Berishës, gazsjellësi TAP i jep zgjidhje përfundimtare problemeve energjetike të Shqipërisë.
“Burimi i gazit nga ky gazsjellës do të mund të mbështesë totalisht si industritë e vendit dhe përdorimin familjar dhe me një kosto shumë më të ulët. Projekti gjeneron të ardhura për buxhetin e shtetit. TAP është një ogur i bardhë për rezervat e mëdha të gazit që mesa duket ka Shqipëria. Rezerva që janë në eksplorim e sipër.”- vijoi kryeministri.
Kryeministri vlerësoi si 'vizionar' vendimin e presidentit të Azerbajxhanit, Aliev dhe konsorciumit, që sipas tij, “për shumë arsye do të përzgjidhnin projektin më fleksibël”.
Pas memorandumeve të firmosura nga qeveria shqiptare me Italinë, Greqinë dhe vendet e rajonit, puna e kryer deri sot nga stafi i TAP-it në Shqipëri, me mbështetjen e institucioneve shqiptare, Berisha tha se "jemi të parët që na takon të plotësojmë dokumentacionin për këtë gazsjellës". Kryeministri konfirmoi në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit, se "me këtë leje Shqipëria autorizon TAP-in të nisin punët”.
Në Shqipëri tubacioni i gazit të TAP-it hyn në Bilisht dhe del në Seman, në një rrugëtim ku janë pasur parasysh shumë element mbrojtës si shmangia nga zona e Bredhit të Hotovës si vlerë natyrore. Në tubacionin e gazit që kalon nëpër Shqipëri do të ketë dy kompresorë në dy pikat lidhëse në Bilisht dhe Seman. Zyra e TAP-in në Shqipëria ka organizuar takime në 38 komuna dhe bashki, në rreth 10 mijë hektarë të të cilave, 600 ha janë tokë bujqësore, etj.





