TIRANE, 20 mars 2013– Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, priti sot në një takim të veçantë përfaqësuesit e kompanisë “British Petroleum”. Objekti i takimit ishte diskutimi rreth projektit TAP, dhe impaktit në mjedis që ai ka në Shqipëri.
Siç bën të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Mjedisit, kompania angleze shprehu gatishmërinë e saj për të kontribuar dhe bashkëpunuar me Shqipërinë për këtë projekt me qëllim që ai të përputhet me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare për mbrotjen e mjedisit.
Ministri Mediu, informoi përfaqësuesit e “British Petrolium” se Shqipëria e sheh projektin TAP, si një ndër projektet me ambicioze në Shqipëri, ndërtimi i të cilit do të krijonte mundësinë që dhe Shqipëria të bëhet për herë të parë në historinë e saj, pjesë e një projekti dhe një infrastrukture kaq të madhe për transmetimin e gazit nga Azerbajxhani në Europë.
Po ashtu minsitri Mediu theksoi se deri tani ky projekt është diskutuar me të gjitha grupet e interesit dhe veçanërisht me strukturat vendore, bizneset dhe shoqërinë civile. Sipas Mediut, ministria ka bërë kujdes që ky projekt të shmangë dëmtimin e zonave të mbrojtura dhe zonave të tjera me vlera për biodiversitetin dhe natyrën.
Në përfundim, palët ranë dakord që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen mbi bazën e grupeve teknike për çështje të ndryshme lidhur me këtë projekt.