GREQI– Sot pritet të nënshkruhet në Athinë marrëveshja ndërqeveritare ndërmjet Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, që në territoret e këtyre tri vendeve të kalojë gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline-TAP. Lajmi për nënshkrimin e saj sot, u bë i ditur disa ditë më parë, kur ministri i jashtëm grek takoi në Mynih homologun e tij azer. 

Marrëveshja, në emër të qeverisë greke do të nënshkruhet nga Ministri i Jashtëm, Dimitris Avramopulos, në emër të qeverisë shqiptare nga zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto si dhe nga ministri italian për Zhvillim, Corrado Passera. Në ceremoninë e nënshkrimit përveç përfaqësuesve nga 3 vendet, do të jenë edhe përfaqësues të qeverisë së Azerbajxhanit.

Kjo marrëveshje mes 3 qeverive, e cila përbën mbështetjen e nevojshme politike për tubacionin, është baza që ky projekt të zgjidhet në muajin qershor nga konsorciumi “Shah Deniz” në Azerbajxhan, duke u bërë rruga kryesore e korridorit jugor të energjisë. Me anë të tij që prej vitit 2017 gazi i Azerbajxhanit do të transferohet në tregun evropian. 

Dje Kryeministri Sali Berisha firmosi vendimin e qeverisë shqiptare për miratimin në parim të marrëveshjes 3 palëshe mbi projektin TAP. 

Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërqeveritare sot në Athinë, hapi tjetër është nënshkrimi i një marrëveshje midis TAP dhe qeverisë greke për mirëpritjen e tubacionit. Bëhet fjalë për mënyrën e tatimit të kompanisë së gazsjellësit, për shpronësimet dhe funksionimin e përgjithshëm. Një marrëveshje e tillë është nënshkruar tashmë nga kompania TAP dhe qeveria shqiptare, gjë që nuk është e nevojshme të bëhet me Italinë, për shkak të distancës së ulët nëpër të cilën tubacioni do të kalojë në këtë vend (vetëm 5 km) derisa të lidhet me sistemin kombëtar të këtij vendi. 

Procesi i zgjedhjes së tubacionit që do të transportojë gazin nga Deti Kaspik në Evropë, do të fillojë në mars, siç ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i TAP, Kjetil Tungland. Vendimi përfundimtar pritet në qershor, sipas njoftimeve raportuar agjencia shtetërore e lajmeve në Baku. 

Projekti konkurrues u tubacionit TAP është Nabucco West, i cili pas Turqisë kalon nëpër Bullgari, Rumani, Hungari, për të arritur në Austri. Megjithatë, sipas vlerësimeve, TAP predominon mbi Nabucco, për shkak të distancës më të vogël dhe kostos më të ulët. 

Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Është vlerësuar se ndërtimi i tubacionit do të kushtojë 1.5 mld euro dhe qindra vende të reja pune. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP-së do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. Aksionerët e TAP janë EGL zvicerane, Statoil norvegjeze dhe E.ON Rurgas gjermane. Në projekt bashkëpunon edhe kompania italiane e energjisë, "Enel". 

TAP do të shfrytëzojë fushat e mëdha të gazit të Shah Deniz II në Kaspik. Shah Deniz është çelësi i strategjisë së BE për rritjen e sigurisë së vet energjetike, sepse do të bëjë realitet shpresat për një korridor gazi në një prej rajoneve më të pasura të burimeve në botë.