Një 42-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Lushnje orët e para të kësaj të enjteje. Sipas njoftimit të policisë, ky shtetas nuk i është bindur urdhërit të uniformave blu për të ndaluar automjetin e tij. Ai është arratisur me shpejtësi, duke u rrezikuar jetën punonjësve të policisë. Më vonë, 42-vjeçari u kap në fshatin Thasanaj të Lushnjes, dhe pas testimit rezultoi i dehur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin V. K., 42 vjeç, banues në Peqin, pasi gjatë natës, në vendin e quajtur “Rotondo e Çermës”, duke drejtuar automjetin, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi, duke u rrezikuar atyre jetën.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale dhe ndjekjes nga shërbimet e Policisë, 42-vjeçari është kapur në fshatin Thanasaj, Lushnjë. Pas testimit me aparatin alkool-testues, rezultoi se shtetasi V. K. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur”, njofton policia.





