Dy drejtues automjetesh nga Durrësi janë kapur nga policia në gjendje të dehur në timon, njëri prej të cilëve ka shkaktuar edhe aksident me pasojë plagosjen e një personi.

Më datë 26.01.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi R.K., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi në autostradën Durrës-Tiranë, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “BMW”, është përplasur me mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin R.K, 49 vjeç, banues në Gjirokastër. Për pasojë është aksidentuar shtetasja E.D, 35 vjeçe, bashkëshortja e shoferit të “Benz”-it. Policia bën me dije se pas mjekimit në spital, ajo u largua pa probleme për jetën.

Ndërsa shtetasi F.Xh, 23 vjeç, banues në fshatin Lalëz,me leje drejtimi, më datë 25.01.2018,  në aksin rrugor Sukth-Durrës, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip “Ford Fiesta”.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për të dy këta drejtues.