Një 34 vjeçar nga Roma është bërë protagonist i një ngjarjeje që ka marrë vëmendjen e medieve të vendit fqinjë, Itali.

Siç raportojnë këto të fundit, 34-vjeçari, që rezulton të jetë emër i njohur për karabinierët italianë, ka goditur me automjetin e tij disa makina të parkuara mbrëmjen e djeshme.

Lëvizjet e tij të pakontrolluara në rrugë i kanë rënë në sy policisë, e cila e ka ndaluar dhe i ka kërkuar dokumentet.

34-vjeçari në fillim ka nisur të kërcënojë karabinierët, e më pas ka dalë nga mjeti dhe ka nisur t’i godasë këta të fundit me shkelma e grushte.

Pas disa tentativave, ai është neutralizuar dhe i janë vënë prangat. Ndërsa ai është shoqëruar në komisariat dhe pritej që t’i dilte pija për t’u marrë në pyetje, policët e rrahur prej tij kanë përfunduar në spital.

Sipas medieve italiane, atyre u janë dhënë disa ditë raport nga ana e mjekëve.