Lazio po shijon momentin e mirë në kampionat, por ndërkohë mendon edhe për të ardhmen duke u bazuar te lojtarët e rinj, me shumë cilësi dhe potencial. Për këtë arsye në merkaton e verës bardhekaltërit do të synojnë të afrojnë në klub futbollistë që do t’i jepnin një tjetër implus grupit aktual. Dhe mesa duket Drejtori Sportiv, Igli Tare i ka idetë e qarta se cili do të jetë një nga përforcimet e radhës në kampin italian. Bëhet fjalë për mesfushorin kosovar të Luzernës, Hekuran Kryeziu, që siç shkruajnë mediat italiane prej kohësh vëzhgohet nga drejtuesi shqiptar.
24-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2018 me skuadrën zvicerane, por Lazio këmbëngul për ta sjellë në Serie A lojtarin, aq sa në ditët e ardhshme është planifikuar një takim me agjentin e tij, Arzen Ramadani. Megjithatë bardhekaltërit nuk janë ekipi i vetëm që duan kartonin e Kryeziut, pasi forma e mirë e lojtarit me Luzernën, ka bërë që edhe Monaco me Feyenoord të interesohen për shërbimet e tij. 24-vjeçari deri në vitin 2015 është aktivizuar me Kombetaren U-21 të Zvicrës, por më pas zgjodhi t’i bashkohet Kombetares së Kosovës, ku ka luajtur në 5 ndeshje.