Itali, 25 korrik 2014 – Igli Tare është pranë largimit nga Lacio. Nuk bëhet fjalë për spekulime të mediave italiane, por për një premtim të mirëfilltë që drejtori sportiv i Lacios u ka bërë tifozëve të kësaj skuadre, duke u shpjeguar dinamikat e merkatos së klubit gjatë verës. “Nëse në fundin e merkatos, gjërat nuk do të shkojnë në mënyrën e duhur, atëherë do të jap dorëheqjen”, kanë qenë fjalët e drejtuesit shqiptar.
Gjithçka ka lindur pas dështimit në blerjen e mbrojtësit Davide Astori nga Kaljari. Klubi bardhekaltër dukej se kishte në dorë futbollistin, por duke tentuar të ulë çmimin e tij, është gjetur i papërgatitur nga një ndërhyrje e Romës. Rivalët kryeqytetas janë gati të paguajnë shifrën e kërkuar nga Kaljari, ndërsa i garantojnë lojtarit të njëjtën rrogë që i ofronte Lacio. “Vjedhja” e një futbollisti nga rivalët e urryer ka shtuar acarimin e tifozerisë së Lacios, e cila, për momentin, nuk ka raporte aspak të mira me drejtuesit e klubit. Për këtë arsye, ata kanë kërkuar një takim me Taren në orët e vona të natës të së mërkurës, duke folur me të para dyerve të hotelit. Drejtori sportiv shqiptar u ka shpjeguar atyre se çfarë ka ndodhur në rastin në fjalë dhe u ka bërë premtime për përforcime të ndjeshme gjatë merkatos. Për t’i bindur se këto premtime nuk ishin boshe, ai është treguar i gatshëm të japë dorëheqjen, nëse nuk arrin objektivat për përforcimin e ekipit me lojtarë më cilësorë se kontingjenti aktual. “Të presim derisa të mbyllet merkato. Po ju them të vërtetën. Jam i ndërgjegjshëm që na duhen dy mbrojtës. Nëse deri në fundin e merkatos nuk do të kemi arritur objektivat e paravendosur, jam gati të jap dorëheqjen. Nuk do të largohet askush, as Antonio Kandreva”, janë premtimet që ka bërë Tare para tifozëve.
Drejtori sportiv i Lacios cilësohet si një nga më të aftët në Serinë A, por puna e tij është penalizuar ndjeshëm nga investimet e pakta të presidentit Klaudio Lotito. Kjo ka bërë që Lacio të mos ketë mundësi të shpenzojë shuma të mëdha në merkato dhe lojtarët e njohur që i janë bashkuar kësaj skuadre, kanë ardhur aty kryesisht falë aftësive shumë të mira negociuese të Tares, i cili, në muajt e kaluar, është përfolur shpesh si një objektiv i “merkatos” së Interit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





