Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaron se tarifa për kalimin e automjeteve në Rrugën e Kombit (Milot-Morinë) është 4.16 Euro pa TVSH, ose 3.63 cent për km.

Ministria e Transportit deklaron se tarifa për përdorimin e Rrugës së Kombit është nën mesataren e rajonit dhe se për shpalljen e kompanisë fituese të koncesionit është marrë edhe aprovimi i kompanisë konsulente IFC.

“Tarifa për përdorimin e rrugës do të jetë 4.16 euro pa TVSh pra 3.63 euro cent për kilometër, meqënëse rruga është 114.5 kilimetra e gjatë. Tarifa për rrugën Milot-Morinë është miratuar në korrik 2014, bazuar mbi rekomandimin e konsulentit “IFC”. Pavarësisht këtij fakti, tarifa e përcaktuar për rrugën Milot Morinë është vetëm 3.7% më e lartë se sa sugjerimi i Egnatia Odos, me një rritje të pakonsiderueshme dhe e konfirmuar nga konsulenti IFC. Konsulenti Egnatia Odos, financuar nga BERZH, në studimin për taksimin e rrugëve në Shqipëri, ka sugjeruar përdorimin e një tarife prej 3.5 euro cent për kilometër pa TVSh, dokumenti është prodhuar dhe miratuar në dhjetor 2015, ndërsa procesi I tenderimit kishte filluar tashmë. Diferenca me vlerën e përcaktuar nga IFC, institucion i Bankës Botërore, është vetëm 3.7 përqind. Ndërkohë Tarifa për përdorimin e rrugës është nën mesataren e rajonit. Kështu tarifa e aplikuar në Greqi varion nga 4.8 deri në 4.97 euro cent për /km, në Kroaci 4.94 euro cent për kilometër, në Maqedoni nga 3.33 deri në 4.47 euro cent për kilometër pa TVSH. Ndërkohë Shqipëria e ka 3,63 euro cent për kilometër”, deklaroi zëdhënësi i MTI-së, Arbër Hitaj.

Deputetet e opozitës u shprehën kundër këtij koncesioni, i cili sipas tyre penalizon banorët e zonës. Ministria e Transporteve, në përgjigje të akuzave të deputetëve të opozitës, deklaroi se gjatë qeverisjes së kaluar ishte parashikuar që tarifa për të kaluar në Rrugën e Kombit të ishte 8 euro.

“Dëshirojmë t’i kujtojmë opozitës, se në kohën kur proçedura u zhvillua gjatë qeverisjes së kaluar, tarifa për përdorimin e rrugës nuk u përcaktua nga qeveria, por u parashikua të ishte pjesë e ofertës së konçesionarit, dhe ishte në vlerën 8 Euro”, përfundon reagimin e saj MTI.

Ministria e Transporteve ka bërë me dije se oferta e paraqitur nga ky grupim kompanish përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 Euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50,622,174 Euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320,604,079 Euro. Oferta është zgjedhur fituese mbi dy konkurrentët e tjerë në tender.