Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, Gëzim Peshkëpia, tha se, çmimet bukës, brumërave dhe pastiçerive do të jenë në presion me tarifat e reja që pritet të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë.

A ka një presion të rritjes së kostove të prodhimit të bukës nga rritja e çmimeve të energjisë dhe të miellit?

Sigurisht që po. Çmimet e energjisë pritet të ushtrojnë presion edhe më tej me tarifat e reja që do të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë. Edhe tani, furrat e bukës paguajnë një kilovator me mbi 18 lekë por, pritet që tarifat e reja të energjisë elektrike të jenë edhe më të larta.

Çmimi i energjisë krijon kosto te fabrikat e mëdha të miellit, të cilat furnizojnë me miell të gjitha njësitë e prodhimit të bukës. Parashikohet të ketë një transmetim zinxhir të çmimeve të miellit.

Po presionet nga tregu ndërkombëtar për çmimet dhe burimet e furnizimit, si paraqiten këtë vit?

Në fakt, ky është shqetësimi kryesor i industrisë këtë vit. Nëse konflikti ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë përfundon në luftë, atëherë nuk do të ketë më diskutime mbi nivelin e çmimit pasi do të jetë shumë e vështirë të sigurohen sasitë e nevojshme të grurit.

Aktualisht Rusia dhe Ukraina janë furnitorët kryesorë të Europës me grurë, por edhe të vendit tonë. Nëse vendet përshihen në luftë, kjo do të kishte efekte më negative, edhe se vetë pandemia, pasi të gjitha vendet, sipas fuqisë financiare do të synonin furnizime, ndërsa ato me pak fuqi do të mbeteshin pas. Në këtë pikë, diskutimi për çmimet mbetët i pavlerë, pasi thjesht nuk do të kemi produkt.

A do të amortizohej presioni nga varësia e importit, duke kultivuar më shumë drithëra në vend?

Jo. Në maksimumin e vet, Shqipëria plotëson 25% të nevojave të veta për drithëra. Edhe këto sasi janë më së shumti për vetëkonsum dhe nuk përmbushin nevojat e industritë dhe konsumit në vend. Për momentin shpresojmë vetëm të mos nisë lufta.