Tregjet financiare europiane janë goditur rëndë pas vendimit të Kinës për të vendosur një tarifë hakmarrëse prej 34% ndaj mallrave amerikane, si kundërpërgjigje ndaj tarifave të reja të shpallura nga administrata e presidentit Donald Trump.

Bursa e Milanos është ndër më të prekurat, me një rënie të përgjithshme prej 7%, ku aksionet e grupeve financiare si Unipol, Unicredit, Bper, Intesa dhe Banca Popolare di Sondrio kanë humbur nga 10% deri në 13% të vlerës së tyre.

Krahas panikut në tregje, çmimi i naftës ka rënë me 6%, nga 67 në 62 dollarë për fuçi brenda ditës, duke reflektuar frikën për një ngadalësim të ekonomisë globale.

Tregu amerikan pritet të ndjekë të njëjtin trend në momentin që të hapet, me kontratat e së ardhmes që sugjerojnë një rënie prej afërsisht 5%.

Ndërkohë, Kina ka bërë të ditur se ka paraqitur një padi zyrtare kundër Shteteve të Bashkuara në Organizatën Botërore të Tregtisë, duke akuzuar Uashingtonin për shkelje të rregullave ndërkombëtare të tregtisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë së Kinës e ka quajtur këtë një “praktikë tipike bullizmi të njëanshëm” që rrezikon stabilitetin ekonomik global dhe rendin shumëpalësh të bazuar në rregulla. Konflikti mes dy ekonomive më të mëdha të botës po reflektohet me pasoja të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare dhe po ngre alarmin për një krizë të re ekonomike në horizont.