Më shumë se 50 shtete kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të nisur negociata tregtare, pas vendimit të Presidentit Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja. Lajmi u bë i ditur nga Kevin Hassett, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të SHBA-së.

Në një intervistë për NBC News, Hassett tha se vendet po reagojnë pasi e kuptojnë se tarifat e reja do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomitë e tyre: “Ata po e bëjnë këtë sepse e kuptojnë që bartin shumë tarifa,” u shpreh ai.

Hassett mohoi se tarifat janë një mjet për të ushtruar presion mbi Rezervën Federale për të ulur normat e interesit, ndërsa vlerësoi se konsumatorët amerikanë nuk do të preken ndjeshëm nga masat e reja.

Nga ana tjetër, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent minimizoi shqetësimet për rënien e çmimeve të aksioneve në bursa që pas njoftimit për tarifat, duke thënë se “nuk ka asnjë arsye” për të menduar se do të shkaktohen kushte recesioni ekonomik.

“Ne kemi një deficit tregtar të vazhdueshëm sepse shumë nga këto vende kanë ofertë joelastike. Në këtë kontekst, tarifat janë një mënyrë për të nxitur më shumë balancë,” shtoi Hassett.