Në vendin tonë që në shekujt I-IV të erës sonë kanë ekzistuar atelie lokale që prodhonin qelqurina, ndërkohë që në qendrat më të mëdha antike të asaj kohe si Durrës, Bylis, Apolloni, Butrint etj. këto produkte  përdoreshin gjerësisht në jetën e përditshme. Këtë fakt e ka prezantuar në kongresin e 19 të AIHV (Shoqata Ndërkombëtare e Historisë së Qelqit) grupi shqiptaro-slloven në përbërje të të cilit ishte dhe arkeologu i njohur durrsak Fatos Tartari.

Në vendin tonë, në vendbanimet antike janë zbuluar ndër të tjera edhe produkte qelqi, por deri tani nuk ka qenë e qartë nëse ato ishin të importuara nga Roma ose Greqia e lashtë, apo prodhoheshin nga artizanët vendas. “Prodhimet prej qelqi të shekujve I-IV të erës sonë (një nga periudhat më të shkëlqyera të lulëzimit të industrisë e tregtisë së artikujve prej qelqi) të gjetura e të zbuluara në qytetet më të rëndësishme të vendit tonë duhet t’i nënshtroheshin analizave arkeometrike për të dalluar prodhimin vendas nga ai i importit”,- thotë profesor Tartari.

Në pamundësi për t’i realizuar këto analiza në vendin tonë disa mostra u dërguan në institutin slloven “Jozef Stefan”. Nëpërmjet metodave laboratorike u arrit në përfundimin se në disa prodhime të këtyre shekujve vërehen tipare të veçanta që kanë të bëjnë me përqindjet e elementëve qelqformues, shkrirjes etj, e që lidhen me karakteristikat e veçanta të rërës së vendit tonë, e përdorur për realizimin e këtyre prodhimeve.

Rezultatet e këtij studimi të rëndësishëm u paraqitën përmes një posteri të veçantë në kongres “Roman glass from Albania” (qelqi romak në Shqipëri), i cili u realizua falë bashkëpunimit të suksesshëm 2 vjeçar shqiptaro-slloven. Gjatë 5 ditëve që zgjatën punimet e kongresit (17-21 shtator, në Piran të Sllovenisë) u mbajtën 72 referate dhe u organizuan dy sesione posterash me 74 subjekte të ndryshme.

 

Që në shekujt I-IV të erës sonë kanë ekzistuar atelie lokale që prodhonin qelqurina, ndërkohë që në qendrat më të mëdha antike të asaj kohe si Durrës, Bylis, Apolloni, Butrint etj. këto produkte  përdoreshin gjerësisht në jetën e përditshme

Tartari bën të ditur se arkeologë nga vende të ndryshme të botës paraitën në kongres koleksione e takëme qelqi, forma e artefakse të panjohura të enëve të tavolinës, qelqit artistic e zbukurimor, si dhe gjurmë e rrënoja furrash e magazinash qelqi e xhami etj.

Studimi

Studimi, i realizuar nga arkeologët shqiptarë dhe ata slloven, është mjaft i rëndësishëm, pasi hedh dritë mbi prodhimin e enëve të qelqit që në shekujt e parë të erës sonë në qytetet më të mëdha antike të Shqipërisë. Arkeologët shqiptarë shpeshherë kanë mundur të zbulojnë mes vendbanimeve antike apo varreve të veçantë enë qelqi, por nuk kanë munguar edhe rastet kur janë zbuluar punishte të vogla vendore për prodhimin e këtyre produkteve. Përveç pranisë së këtyre punishteve antike, faktin që në vendin tonë prodhoheshin produkte të ndryshme qelqi e përforcoi analiza arkeometrike e këtyre produkteve mijëravjeçare.

Profesor Tartari, i cili prej vitesh ndjek rregullisht punimet e kongresit të  shoqatës ndërkombëtare të historisë së qelqit, AIHV thotë se “mjaft institute kërkimore dhe qendra didaktike mbështetur në këto analiza mund të riprodhojnë sot besnikërisht teknologjinë e qelqit të të gjitha periudhave me të njëjtat receptura, mjete, furra, lëndësh të para etj., që përdoreshin edhe nga mjeshtrit e antikitetit. Analizat që bëhen tani në qendrat e specializuara me metodat izotopike që përdor Arkeometria përcaktojnë me saktësi absolute qendrat kryesore të prodhimit të qelqit dhe xhamit në kohëra të ndryshme duke u bazuar në njohjen e imtësishme të burimit të rërave, hireve vegjetale të përdorura si shkrirës etj.