Sot është mbledhur Task Forca e Posaçme për drogën, ku është raportuar mbi situatën pas operacioneve të fundit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Cako, duke dhënë edhe shifrat e aksioneve dhe drogës së sekuestruar, bëri me dije se 51 efektivë policie janë larguar nga detyra dhe 14 prej tyre janë arrestuar për lidhjet me trafikantët e drogës.

Në fjalën e tij, Çako ka deklaruar se pavarësisht aksioneve, qarqet me risk më të lartë mbeten Shkodra, Durrësi dhe Vlora.

Ndërkohë, në kuadër të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve janë goditur 14 grupe kriminale dhe janë finalizuar me sukses 23 operacione, të kryera në bashkëpunim me policitë e vendeve të tjera.

I pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Task Forcës. “Zoti drejtor, kap kokat e krimit pastaj bimët. Jo bimët, e shohim e bëjmë për kriminelët”, tha në fjalën e tij kryeministri Rama.