13 janar 2014 – Në mbledhjen e Task-Forcës për energjinë, e cila po zhvillohet nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, u evidentuan një sërë problemesh, ndërsa u përcoll mesazhi se Qeveria do të ulë vjedhjet në energji, nën moton për të transformuar sistemin në vend. "Kjo Task-Forcë, për përmirësimin e qëndrueshëm të nivelit të arkëtimeve dhe uljen e nivelit të humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike, që fillon punën sot nën drejtimin e zëvendës kryeministrit Niko Peleshi, ka një impakt tjetër që shkon përtej këtij qëllimi kryesor. Nënvizoj tre aspekte kryesore që lidhet Task- Forca dhe gjithë operacioni që fillojmë sot. Së pari, gjendja alarmante që kemi trashëguar në sistemin e energjisë elektrike. Së dyti, domosdoshmëria në një fushë jetike, pasi nesër rrezikon të kthehet në një fatkeqësi kombëtare, nëse sot nuk bëjmë atë që na takon. Dhe së treti, është domosdoshmëria për të përtërirë përgjegjshmërinë që kërkon për shoqërinë tonë. Në kushtet e sotme, 91% e kontratave të konsumatorëve dhe 88 % të kontratave të biznesit, rezultojnë me borxhe në kontratat e energjisë elektrike.
Këto shifra flasin vetë për situatën e trashëguar dhe rëndësinë e kësaj Task-Force. Humbja e energjisë së blerë ka rezultuar 36.6 % në tetor, 43.3 në nëntor, 55% në dhjetor 2012. Energjia që do shkonte për shërbimin dhe ndriçimin e një vendi, ka shkuar nga të katër anët e xhepat e këtij vendi. Gjendja është përkeqësuar në vijim gjatë vitit 2013, dhe krahasuar me një vit më parë, humbja dhe vjedhja janë thelluar. Me fillimin e punës nga administratori i ri në 20 tetor 2013 dhe marrjes së masave të menjëhershme për të frenuar hemoragjinë e rëndë në sistem, ka nisur një frenim paraprak, por kurrsesi përfundimtar dhe i qëndrueshëm i humbjeve dhe vjedhjes.
Kjo Task-Forcë ka detyrimin që të vendosë të gjithë strukturat e shtetit në shërbim të një misioni të qartë, kthimin e grafikut të frenimit të humbjeve dhe vjedhjes, në një grafik në renie të vazhdueshme dhe kthimin në situatë normale. Në dhjetor 2013, humbja ka qenë 2.4 % më e vogël se humbja e të njëjtës periudhë të një viti më parë. Nevojitet një ndërhyrje vendimtare dhe një punë sistematike, që do vijojë deri në fund të këtij mandati të qeverisë sonë. Jetëgjatësia e kësaj Task-Force për një vit, parashikon bërjen e një analize, për të parë rezultatet dhe për të parashikuar punën në vijim", deklaroi kryeministri Rama.
Peleshi: Do marrim masa, 45% humbje të energjisë në rrjet
Zëvendës kryeministri Niko Peleshi, i cili do të jetë edhe kreu i Task-Forcës, tha se 45% e sasisë së energjisë të futur në rrjetet e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ka humbur. “Kemi historikun e dështimit spektakolar të Task-Forcave të mëparshme, duke bërë t’i shohim ndryshe këto nisma. Por kjo Tas-Forcë, synon realizimin e objektivave në dy nivelet kryesore ku do fokusohet puna. 45% e sasisë së energjisë të futur në rrjetet e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ka humbur. Pjesa më e madhe e këtyre janë humbje nga vjedhja. Por kështu humbje vijnë edhe nga mungesa e arkëtimeve. Sfida që kemi përpara është e një natyre ekonomike e financare, por ka një rol të rëndësishëm social. Task-Forca për përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljes së humbjeve në rrjet, kërkon një punë të vijueshme dhe të vështirë. Task-Forca do shtrijë aktivitetin e saj në çdo qark, ku do drejtohet nga prefekti i qarkut. Funksionimi i Task-Forcës parashikon koordinimin e të gjithë insituticioneve shtetërore. Aktiviteti i saj do të shtrihet përgjatë gjithë vitit 2014. Raportimi do jetë mujor dhe grafikët do të bëhen publike”, tha Peleshi.
Nënshkruhen tre memorandume bashkëpunimi
Në fund të takimit, janë nënshkruar tre memorandume bashkëpunimi në kuadër të Task-Forcës. Një midis kreut të Task-Forcës, zëvendëskryeministrit Niko Peleshi dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla. Një tjetër memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Energjisë e Industrisë dhe Ministrisë së Brendshme, dhe një memorandum i tretë mes Ministrisë së Energjisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Kryeprokurori Llalla tha se do vihen përpara përgjegjësisë, të gjithë ata që abuzojnë me energjinë elektrike.





